Biden mbledh shifër rekord për fushatën zgjedhore presidenciale

  • A.P /
  • 03 September 2020 - 22:20
Biden mbledh shifër rekord për fushatën zgjedhore presidenciale

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden grumbulloi më shumë se 364 milionë dollarë në muajin gusht duke thyer rekordin mujor në SHBA, pavarësisht një fushate të zhvilluar gjerësisht në internet për shkak të pandemisë COVID-19.

“Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Partia Demokrate dhe komisionet e tyre të ngarkuara për grumbullimin e fondeve kanë mbledhur 364,5 milionë dollarë në gusht, 205 milionë dollarë prej të cilave në internet nga donatorët e vegjël”, theksoi sot ekipi i tij i fushatës.

Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar nga ish-presidenti Barack Obama dhe partia e tij demokrate në shtator të 2008 me rreth 200 milionë dollarë.

“Kjo shumë më ka lënë pa fjalë”, shkruan Joe Biden, 77 vjeç, duke falënderuar mbështetësit e tij.

“Rreth 57% e parave që ne kemi mbledhur kanë ardhur nga donacionet në internet, nga njerëz si ju, që kanë derdhur 5, 10 apo 20 dollarë. Kjo e bën gushtin, muajin më të mirë për mbledhjen e fondeve në internet në historinë politike”, shtoi ai.

Joe Biden, megjithatë, u bëri thirrje mbështetësve të tij që të vazhdojnë të thyejnë rekorde nëse dëshirojmë të fitojmë.

Njoftimi se ai kishte zgjedhur si zëvendëspresidente një kandidate me ngjyrë shtoi numrin e donatorëve.

Në korrik, Donald Trump dhe Partia Republikane kishin mbledhur 165 milionë dollarë, krahasuar me 140 milionë dollarë për demokratët.

(Kosova Sot Online)