Lexoni edhe:
Vetëvendosje: Marrëveshja afron Serbinë brenda në Kosovë, ndërkohë që njohja prej Serbisë nuk po afrohet
Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington dhe njohjes së Kosovës nga Izraeli, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do t’ia bëjë edhe një “dhuratë” tjetër Kosovës. Bëhet fjalë për heqjen e vizave për Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E derisa procesi i liberalizimit të vizave nga Evropa po zvarritet tash e sa kohë, edhe pse Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, SHBA në anën tjetër nuk do të hezitojë t’i heq vizat për popullin mik të Kosovës.
Burime thonë se çështja e heqjes së vizave është diskutuar në Shtëpinë e Bardhë dhe shumë shpejt, një “dhuratë” e tillë do t’iu bëhet kosovarëve. Andaj për t’u finalizuar ky proces ka vullnet nga administrata Trump, por procesi mund të jetë i gjatë.
Gjithashtu edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë nga Uashingtoni se shumë shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave nga SHBA.
“Grenell dhe O’Brien u zotuan se shpejt Kosova do të hyjë në programin e heqjes së vizave të SHBA-së. Ky program është një proces që duhet ta kalojmë”, ka thënë Selimi.
Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë nënshkruan marrrëveshje ekonomike. Një ndër pikat që përmbante dokumenti ishte edhe njohja e Kosovës nga Israeli.
Marrëveshja e nënshkruar nga Hoti dhe Vuçiq përbëhet nga 16 pika.
Gjithashtu marrëveshja, e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, parasheh, ndër të tjera, edhe anëtarësimin e dy shteteve në “zonën e mini-Shengenit”.
“Të dyja palët do t’i bashkohen ‘zonës së mini-Shengenit’, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në nëntorin e vitit 2019, dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet prej saj”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
Pikë tjetër e marrëveshjes është edhe pajtimi për ndalimin e pajisjeve dhe internetit 5G.
Gjithashtu, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe për përdorimin e përbashkët të Ujmanit.
Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se është bërë një hap i madh tjetër drejt normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa Netanyahu thotë se pas njohjes së Izraelit, Kosova do të jetë shteti i parë mysliman në botë që do të hapë ambasadë në Jerusalem.
(Kosova Sot Online)