Zotimi i Trumpit: Nëse Irani sulmon, përgjigjja do jetë 1.000 herë më e fortë

  • G.G /
  • 15 September 2020 - 12:28
Zotimi i Trumpit: Nëse Irani sulmon, përgjigjja do jetë 1.000 herë më e fortë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u zotua se çdo sulm nga Irani, do të kishte një kundërpërgjigje “1000 herë më të fortë”, pas raporteve se Irani planifikoi të hakmerret për vrasjen e gjeneralit të lartë Qasem Soleimani.

Një raport i mediave amerikane, duke cituar zyrtarë të paemëruar, tha se një komplot iranian i pretenduar për të vrarë ambasadorin amerikan në Afrikën e Jugut ishte planifikuar para zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

“Sipas raporteve, Irani mund të jetë duke planifikuar një atentat, ose sulm tjetër, kundër Shteteve të Bashkuara në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e liderit terrorist Soleimani”, shkroi Trumpi në Tëitter.

“Çdo sulm nga Irani, në çdo formë, kundër Shteteve të Bashkuara do të përballet me një sulm ndaj Iranit që do të jetë 1.000 herë më i fortë”.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit kanë qenë të tensionuara që nga revolucioni iranian dhe janë rritur që kur Trumpi u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare bërthamore me Iranin në maj të vitit 2018, transmeton abcnews.al

Në janar, një sulm me dron amerikan vrau Soleimanin në Bagdad. Uashingtoni ndërkohë kërkon të zgjasë embargon e armëve mbi Iranin që fillon të skadojë në tetor, si dhe rivendosjen e sanksioneve të OKB-së mbi republikën Islamike.

Ndërkohë flota detare iraniane javën e kaluar tha se largoi avionët amerikanë që kaluan afër një zone ku stërvitjet ushtarake po zhvilloheshin pranë ngushticës së Hormuz.

Ushtria tha se tre aeroplanë amerikanë u zbuluan nga radarët e forcave ajrore të Iranit pasi ata hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të vendit.

(Kosova Sot Online)