Serbia tenton ta hapë temën e asociacionit në Bruksel, PDK dhe AAK e kundërshtojnë idenë

  • A.P /
  • 18 September 2020 - 20:58
Serbia tenton ta hapë temën e asociacionit në Bruksel, PDK dhe AAK e kundërshtojnë idenë

AAK e PDK e kundërshtojnë idenë e themelimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe u diskutua edhe në takimin e së enjtes në Bruksel mes palës kosovare e asaj serbe.

Në këtë takim përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka kërkuar që të hapet kjo temë, por ekipi i Kosovës e ka refuzuar.

Kështu të paktën ka thënë koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni.

Sipas tij delegacioni i Kosovës e ka refuzuar kategorikisht hapjen e kësaj teme.

Se takimi i së enjtes ishte i  ndjeshëm e tha edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në anën tjetër kryenegociatori i palës serbe, Marko Gjuriq ka thënë për delegacionin kosovar që kanë qenë të pa përgatitur.

Ndërkohë në Prishtinë partneri i LDK-së në qeveri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë që ekipit të Kosovës po i mungon uniteti.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës po e kundërshton themelimin e asociacionit të komunave me kompetenca ekzekutive.

Kundër asociacionit është edhe Lëvizja Vetëvendosje teksa i ashpër përkitazi kësaj çështje është treguar edhe presidenti Thaçi.

Sipas tij kjo çështje nuk duhet hapur më.


(Kosova Sot Online)