Udhëtimi i parë i Presidentit jashtë shtetit prej kur Specialja propozoi aktakuzë ndaj tij

  • A.P /
  • 20 September 2020 - 13:36
Udhëtimi i parë i Presidentit jashtë shtetit prej kur Specialja propozoi aktakuzë ndaj tij

Hashim Thaçi ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit prej kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzë ndaj tij për krime lufte. Shefi i Shtetit për një kohë ka qëndruar i izoluar nga takimet ndërkombëtare.

Njeriu i parë i vendit, Hashim Thaçi, ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Turqi, prej fundit të qershorit të këtij viti kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzë ndaj tij. Derisa ishte nisur nga Prishtina për në Vjenë e pastaj do të shkonte në SHBA, Presidentit iu ndalë në gjysmë rrugëtimit drejt Shtëpisë së Bardhë  pasi Specialja lëshoi njoftim se ka propozuar aktakuzë për Shefin e Shteti në pretendimet se është i përfshirë në së paku 100 vrasje. Njoftimi u bë publik pasi Specialja tha se ka pasur tendenca për ta zhbërë institucionin që merret me zbardhjen e krimeve të luftës dhe pasluftës.

Prej asaj kohe, Presidenti ka vazhduar të qëndrojë në Prishtinë dhe të postojë foto e video për bukuritë e Kosovës. Herë pas herë ka pritur në takime ndonjë zyrtar të niveleve të ulëta por nuk është takuar me ndonjë president shteti.

Ndërkohë, këtë vikend, kreu i Shtetit shkoi në Stamboll për ta takuar Shefin e Shtetit turk, Rexhep Taip Erdgoan.

S’ka pasur kurrfarë njoftimi paraprak se mund të udhëtonte Thaçi për në Stamboll.

Ndërkohë, Presidenca turke ka publikuar fotografitë e takimit ku shihet se bashkë me Thaçin është edhe Behgjet Pacolli, aktualisht lider i AKR’së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës.

Nuk ka folur as Pacolli për këtë udhëtim pavarësisht se Express ka provuar të marrë një version të tij se pse ka shkuar në Stamboll me Presidentin Thaçi.

Udhëtimi i Shefit të Shtetit në Turqi po ndodh pak ditë pasi Kosova vendosi të hapë ambasadën në Jerusalem për çka Turqia kishte lëshuar një reagim duke kundërshtuar një hap të tillë të Kosovës.

Raportet Kosovë-Turqi ishin përmirësuar kur Presidenti Thaçi realizoi një kërkesë të Erdoganit për t’i deportuar gjashtë përkrahës të Gulenit për në Turqi.  E gjithë ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2018.

Ndërkohë, të njëjtit janë dënuar me 65 vjet burgim pse kanë përkrahur Fetullah Gulen.

Në kohën kur ishin deportuar gjashtë turqit nga Kosova në krye të diplomacisë kishte qenë Behgjet Pacolli.

(Kosova Sot Online)