
Deklarohet në gjykatë pejani që akuzohet se në pandemi organizoi dasmë me 70 persona

Ergjan Belegu, i cili po akuzohet se e kishte organizuar dasmën e djalit të tij në kohë pandemie, duke shkelur vendimin e Qeverisë, sot është deklaruar i pafajshëm.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Astrit Gashi, i akuzuari deklaroi në Gjykatën Themelore të Pejës se nuk e ndjen veten fajtor për veprën penale “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore sipas epidemisë’’.
“Në kohën kur unë e kam pasë të organizuar dasmën e djalit, e kam pasë të rezervuar në restorantin Qardak, mirëpo në ndërkohë kanë ndryshuar rrethanat dhe unë e kam anuluar ahengun në Qardak. Është e vërtetë që djali është martuar. Nuk kam mundur që t’u them të ftuarve të mos vijnë për me e marrë nusen, e për faktin se në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë vendimi dhe me ligj nuk ka qenë e ndaluar një veprim i tillë’’, ka thënë Belegu.
Gjyqtari i çështjes, Ahmet Rexhaj, e njoftoi të akuzuarin që në afat prej 30 ditësh ka të drejtë që me shkrim të paraqet kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas tij, seanca e shqyrtimit të dytë do të caktohet pasi që të pranohet kërkesa për hudhje të aktakuzës nga ana e të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së ngritur me 2 qershor, Ergjan Belegu akuzohet se me 15 mars 2020, në Pejë, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 11 mars 2020, ka organizuar dasmë familjare ashtu që në shtëpinë e tij e ka martuar djalin e tij, me ç’rast ka pasur 70 persona të ftuar, përderisa Kosova ka qenë duka kaluar në periudhën e pandemisë.
(Kosova Sot Online)