Lirohen në procedurë të rregullt personat që dyshohen për disa grabitje të armatosura

  • A.P /
  • 21 shtator 2020 - 19:20
Lirohen në procedurë të rregullt personat që dyshohen për disa grabitje të armatosura

Anëtarët e grupit të rrezikshëm të dyshuar për grabitje të armatosura, Leutrim Latifi dhe Kastriot Shala, e që nga arratia talleshin me policinë e Kosovës, të premten janë liruar nga gjykata në procedurë të rregullt. Teksa personi i tretë i këtij grupi, Ridvan Ademi është në pritje të ekstradimit nga Belgjika në Kosovë.

Dy nga tre personat e grupit të rrezikshëm, që tronditën vendi para dy vitesh me grabitje të armatosura nëpër banka, kazino e qendra tregtare, janë liruar nga paraburgimi.

Leutrim Latifi dhe Kastriot Shala, u liruan të premten në procedurë të rregullt nga Gjykatat Themelore e Prishtinës.

Gjykata ua ndryshoi atyre masën e arresti, ku ndodheshin që prej kohës kur ranë në pranga, në procedurë të rregullt ani pse ishin konsideruar si persona shumë të rrezikshëm.

Kastriot Shala, Leutrim Latifi bashkë edhe me Ridvan Ademin kërkoheshin nga policia që nga tetori i vitit 2018 për disa raste të grabitjeve. Ata madje ishin shpallur nga Policia e Kosovës, si persona shumë të rrezikshëm.

Edhe pse ishin në arrati, Shala bashkë me Latifin përmes Facebookut talleshin me kërkesën e policisë për arrestimin e tyre. Ata madje kishin pasur edhe video-live nga Spanja, siç thoshin ata për vendndodhjen e tyre.

Policia pati ofruar madje edhe shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofronin ndihmë për vendndodhjen e këtij grupi.

Leutrim Latifi, ishte i pari nga këta të tre persona që u arrestua. Ai ishte prangosur në shkurt të vitit të kaluar në Mal të Zi. U ekstradua në Kosovë tek më 24 maj dhe lajmin për dorëzimin e tij nga autoritetet malazeze tek ato kosovare e kishte dhënë ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në një aksion të madh të Njësisë Speciale të Kosovës, me 9 maj të vitit të kaluar, ishte arrestuar Kastriot Shala.

Ai u arrestua në një pasdite në fshatin Hajvali te Prishtinës, teksa gjatë arrestimit atij i ishte zënë edhe një armë, shkruan Insajderi.

Derisa i kërkuari i fundit i këtij grupi, Ridvan Ademi, nga fshati Dobratin i Komunës së Podujevës u arrestua në shtetin e Belgjikës, pas më shumë se një viti kërkim.

Sipas policisë së Kosovës, Ademit i ishin gjetur nga policia belge dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj edhe duhej bashkëpunim aktiv me autoritetet e këtij shteti  për verifikimin e të gjitha rrethanave përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshëm për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore.

(Kosova Sot Online)