Shoqëruesi i Ahmet Krasniqit kujton momentin e vrasjes së kolonelit: Vrasësi nuk e njohu

  • A.P /
  • 22 September 2020 - 22:51
Shoqëruesi i Ahmet Krasniqit kujton momentin e vrasjes së kolonelit: Vrasësi nuk e njohu

Ushtaraku Rifat Haxhijaj ishte në veturë me Ahmet Krasniqin në momentin e vrasjes.

Haxhijaj thotë se atë moment një polic i cili ishte pa uniform ushtarake kishte kërkuar pasaportën Ahmet Krasniqit dhe sipas tij ishte larguar pak më larg dhe ka komunikuar në radiolidhje me dikë para se ta kryente vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Ai polic fare nuk më pyeti mua se kush isha. Ishte i interesuar vetëm për të ditur se kush është Ahmet Krasniqi”, tha ai.

Haxhiu thotë se Ahmet Krasniqi asnjëherë nuk u zyrtarizua nga Bujar Bukoshi si ministër i Mbrojtjes.

Sipas tij Ahmet Krasniqi ishte emëruar ministër vetëm gojarisht.

“Ahmet Krasniqi u cilësua ministër vetëm disa orë pas vrasjes së tij”.

Ushtaraku thotë se mungesa e sigurisë për Ahmet Krasniqin ishte gjithmonë evidente.

Haxhiu thotë se dy minuta pas vrasjes së Ahmet Krasniqit kishte telefonuar Bujar Bukoshin që në atë kohë ishte në detyrën e kryeministrit në ekzil të Kosovës.

“Ai ndoshta ka menduar se nuk e kam seriozisht këtë lajm dhe nuk bëri një reagim të mirë”.

Ushtaraku Rifat Haxhiu thotë se Ahmet Krasniqi nuk e ka pasur frikë vdekjen asnjëherë.

“Ahmet Krasniqi madje thoshte se nëse vrasja ime do të shërbente për bashkimin e fraksioneve le të ndodh”.

Haxhiu ka treguar edhe kronologjinë si ndodhi vrasja në natën kritike.

“Pasi u afruam te dyert e shtëpisë ku banonim, unë dola t’i hapi dyert. Në atë moment dëgjova disa zëra: ndalohu, ndalohu. Në mendjen time mendova se ishin personat e njëjtë nga policia që ishin para pesë ditëve. Doli edhe koloneli dhe Naimi. Njëri person ndaloi te rruga dy tjerë vinin në drejtim tonin. Në dukje ishin profesionistë. Personi që shkonte në drejtim të kolonelit kishte një armë automatike që zakonisht mbajnë njësitet speciale. Personi tjetër u drejtua me armë nga ne duke na thënë shtrihuni. Ne u shtrimë dhe ata na kontrolluan për armë”.

“Personi tjetër po i mbante armën kolonelit Ahmet Krasniqi në mjekër. Koloneli e pyeste: Kush je ti bre bac. Ai nuk përgjigjej. E pyeti dy apo tri herë dhe ai nuk u përgjigj. Personi tjetër u tërhoq pak nga ne por na mbante në shënjestër. Kaloi armën në dorën tjetër dhe nxori nga brezi tjetër armë. E pyeti personin që po mbante Ahmet Krasniqin: A është ky? Ai iu përgjigj: Po. E pyeti edhe një herë tjetër me një ton më shqetësues dhe pasi mori konfirmimin e shkrepi armën në kokën e kolonelit. Pas ra i vdekur Ahmeti Krasniqi ai gjuajti edhe dy herë mbi trupin e Ahmet Krasniqin”.

Shoqëruesi i Ahmet Krasniqit thotë se vrasësit flisnin shqip por dialektin nuk e mbajë në mend.

(Kosova Sot Online)