Japonia shpik llambën e parë me rreze ultravjollcë që e vret koronavirusin

  • G.G /
  • 23 September 2020 - 09:53
Japonia shpik llambën e parë me rreze ultravjollcë që e vret koronavirusin

Kompania japoneze për prodhimin e llambave, Ushio Inc., së fundi e ka hedhur në treg një llambë me rreze ultravjollcë që mund ta vrasë koronavirusin pa e dëmtuar shëndetin e njeriut. Kjo është llamba e parë e këtij lloji në botë.

E zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Kolumbias, llamba e quajtur “Care 222 UV” pritet të përdoret për dezinfektim të hapësirave ku hyjnë e dalin njerëzit dhe ku rreziku për t’u infektuar me koronavirus është i madh, siç janë autobusët, trenat, ashensorët dhe zyrat, tha kjo kompani.

Llambat me rreze ultravjollcë janë përdorur gjerësisht dhe me efikasitet si mjete për sterilizim, kryesisht në industrinë e ushqimit dhe në mjekësi. Megjithatë, këto rreze nuk mund të përdoren në hapësira ku ka njerëz për shkak se ato shkaktojnë kancer të lëkurës dhe probleme në sy.

Megjithatë, llamba e re japoneze emeton valë ultravjollcë me gjatësi valore prej 222 nanometrash, në krahasim me llambat e zakonshme me valë prej 254 nanometrash, duke e bërë atë vrasëse të mikrobeve, por jo të dëmshme ndaj njerëzve, shkruan Japantimes.

Sipas kësaj kompanie, me këtë gjatësi valore, rrezet ultravjollcë nuk mund ta lëndojnë sipërfaqen e lëkurës dhe as sytë për të shkaktuar defekte gjenetike që shkaktojnë kancer.

Kur vendoset në tavan, brenda gjashtë apo shtatë minutave, llamba “Care 222” vret 99 për qind të viruseve dhe baktereve në ajër dhe në një sipërfaqe prej deri në tri metrash katrorë në sipërfaqen e objekteve që ndodhen rreth 2.5 metra larg llambës.

(Kosova Sot Online)