Pas 32 ditësh trajtimi për shkak të helmimit, Navalny lirohet nga spitali gjerman

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 10:12
Pas 32 ditësh trajtimi për shkak të helmimit, Navalny lirohet nga spitali gjerman

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, është liruar nga një spital në Gjermani, ku ishte duke u trajtuar pasi u sëmur gjatë një fluturimi drejt Siberisë muajin e kaluar.

Autoritetet gjermane kanë thënë se testet e bëra në këtë shtet si dhe në Francë e Suedi kanë treguar se Navalny është helmuar me agjentin nervor Noviçok, shkruan Free Europe.

Shtetet perëndimore kanë kërkuar sqarime nga Rusia për këtë rast, por Moska deri më tani ka refuzuar të fillojë hetime, duke thënë se ende duhet t’i shohë dëshmitë e krimit. Kremlini ka mohuar se është i përfshirë në helmimin e njërës prej figurave kryesore opozitare në Rusi.

“Shëndeti i pacientit është përmirësuar mjaftueshëm që të lirohet nga kujdesi akut. Duke u mbështetur në përparimin e pacientit dhe gjendjen e tanishme, mjekët besojnë se shërimi i plotë është i mundshëm. Megjithatë, ende është shumë herët që të vlerësohen efektet e mundshme afatgjata të këtij helmimi të rëndë”, thuhet në deklaratën e spitalit Charite.

Navalny qëndroi për 32 ditë në këtë spital, prej të cilave për 24 ditë ishte në repartin e kujdesit intensiv, shkruan Free Europe.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërkuar sqarim të shpejtë nga Moska për helmimin e Navalnyt. “Ne nuk do ta tolerojmë përdorimin e armëve kimike në Evropë, në Rusi apo në Siri”, tha ai gjatë ditës së parë të tubimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën.

(Kosova Sot Online)