Afganistani larg paqes, qeveria thotë se talibanët e liruar nga burgu po kthehen në fushëbetejë

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 10:31
Afganistani larg paqes, qeveria thotë se talibanët e liruar nga burgu po kthehen në fushëbetejë

Kryenegociatori i qeverisë afgane në bisedimet e paqes, Abdullah Abdullah, ka thënë se disa talibanë që janë liruar nga burgjet si kusht drejt arritjes së paqes janë kthyer në fushëbeteja.

Kryetari i Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar tha se bisedimet me talibanët në Katar kanë qenë pozitive që nga hapja të martën, ndonëse të dyja palët mbesin larg marrëveshjes në pothuajse të gjitha çështjet.

Megjithatë, Abdullahu tha se disa, ndonëse jo shumica, prej 5,000 talibanëve të liruar nga burgjet e autoriteteve afgane i kanë vazhduar luftimet kundër forcave qeveritare, shkruan Free Europe.

“Unë e di se disa janë kthyer në fushëbetejë, që është shkelje e marrëveshjes që ata e kanë bërë”, tha Abdullahu gjatë një konference në internet me Këshillin Amerikan për Marrëdhënie të Jashtme.

Pavarësisht bisedimeve që po vazhdojnë, niveli i dhunës në Afganistan nuk ka rënë, prandaj ky zyrtar afgan u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit që t’iu bëjnë presion talibanëve që të pajtohen për armëpushim.

(Kosova Sot Online)