U dënua sot me burgim të përjetshëm, ish-polici ishte akuzuar edhe për dhunim të dy vajzave të mitura

  • A.P /
  • 24 shtator 2020 - 16:43
U dënua sot me burgim të përjetshëm, ish-polici ishte akuzuar edhe për dhunim të dy vajzave të mitura

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është dënuar sot me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Prizren për vrasjen e të riut Jetmir Aliaj në Suharekë. Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që i njëjti është përballur me drejtësinë. Media kishte raportuar se i njëjti akuzohej edhe për abuzim me vajza të mitura.

Me 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me arsyetimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake, privon nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinos dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare. Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës. Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “manipulim me prova”.

Për krejt këto veprime Shefki Spahiu është dënuar sot me burgim të Përjetshëm. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që i njëjti është përballur me drejësinë.

Për ish’rreshterin e Policisë vite më parë rëndonin akuza se kishte dhunuar dy vajza të mitura e edhe se kishte falsifikuar dokumente e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gazeta Express ka raportuar se më 22 qershor të vitit 2015-të, policit Shefki Spahiu nga Komuna e Suharekës, Gjykata Themelore e Prizrenit ia kishte caktuar masën e një muaji paraburgim, nën dyshimet se kishte keqpërdor seksualisht dy vajza të mitura.

Spahiu dyshohej se më 9 qershor të atij viti, në një motel në komunën e tij kishte kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur, nën moshën 16-vjeçare, e pas saj, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me një vajzë tjetër, po ashtu të mitur.

 “Në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, duke shfrytëzuar situatën e pambrojtur dhe moshën e të dëmtuarave, pas kryerjes së aktit seksual me njërën të mitur, kryen aktin seksual edhe me një të dëmtuar tjetër,” shkruhej në aktakuzë.

 Mirëpo, Gjykata Themelore në Prizren, një vit më vonë do ta shpallte të njëjtin të pafajshëm, duke vlerësuar se pretendimet e prokurorisë ishin të paqëndrueshme.

Vetëm pak muaj më vonë, polici i akuzuar për abuzim seksual, në ceremoninë vjetore u dekorua me mirënjohje nga shefi i atëhershëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Kjo mirënjohje, në vitin ku ai po gjykohej nën dyshimet për abuzim me të mitura iu dha për të arriturat që i pati gjatë asaj kohe.

 Se për Spahiun rëndonin këto akuza, e kishin konfirmuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga IPK kishin sqaruar se ai ishte arrestuar në datën 19 qershor të 2015-tës e të njëjtën ditë ishte suspenduar nga vendi i tij i punës. Edhe pas vendimit të Gjykatës, në tetor të atij viti IPK kishte rekomanduar që i njëjti të transferohet.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) më 19.06.2015 me aktvendim të prokurorisë Themelore në Prizren e kanë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë të dyshuarin Sh. S.

I njëjti me rekomandim të IPK-së është suspenduar dhe ndaj tij nga Inspektorati Policor i Kosovës është ngritur kallëzim penal me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare”.

Më 25 tetor të vitit 2016 zyrtarit Policor i është rekomanduar masa e transferit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Dy vite më vonë, polici problematik ishte në llupë të IPK-së nën dyshimet se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kishte falsifikuar dokumente.

 “Hetuesit e IPK-së më 05 dhjetor 2018, për një rast tjetër, ndaj të dyshuarit Sh. S ka ngritur kallëzim penal në prokurorinë kompetente me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, kanë bërë të ditur nga IPK.

Por, historia nuk përfundon me kaq. Sipas disa burimeve polici i njëjtë, i dyshuar për disa raste frekuentonte shpesh kazinotë, e ishte fans i alkoolit e ndejave të natës.

 Njëjtë kishte ndodhur edhe ditën kur i njëjti dyshohet se me një grup kishte shkuar në një kazino, në qytetin e tij në orët e para të mëngjesit dhe kishte qëlluar për vdekje një 32-vjeçar, derisa këta në atë kazino dyshohet se po kryenin një vjedhje.

Dyshimet janë se atë ditë ai kishte qëndruar në kazino deri vonë, e në momentin kur i shkrepi plumbat drejt viktimës, personi i vrarë veçse e kishte identifikuar.

 Nga Inspektorati i Policisë së Kosovës për rastin e vrasjes kishin deklaruar se nga hetimet merret vesh  se polici i dyshuar nuk ka qenë në detyrë zyrtare në momentin kur ka ndodhur rasti.

“Sa i përket incidentit të djeshëm (rastit të vrasjes në Suharekë), hetimet e deritashme tregojnë se i dyshuari Sh. S nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur ka ndodhur incidenti. Sa i përket armës që është përdorur në këtë fazë të hetimeve nuk mund të jepen detaje pasi që janë një sërë ekzaminimesh balistike dhe ekzaminime të tjera që duhet të bëhen”, kishin bërë të ditur nga inspektorati.

(Kosova Sot Online)