Një deputet nuk votoi që t’i hiqet monopoli i Devollëve për homologim të veturave

  • G.G /
  • 30 September 2020 - 12:40
Një deputet nuk votoi që t’i hiqet monopoli i Devollëve për homologim të veturave

Të gjithë anëtarët e Komisionit për Infrastrukturë janë pajtuar që të ndryshohet ligji, me të cilën do të hiqej homologimi i veturave, vetëm një nuk ka votuar pro.

Në Komisionin për Infrastrukturë dje ka kaluar projektligji për ndryshimin e Ligjit për Automjete, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave që vijnë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia. Homologimin, që konsiderohet krejt i panevojshëm, e kryen vetëm kompania në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, që është anëtar i këtij komisioni, ka thënë për  Express se ka mbetur që ligji të dalë për votim në Kuvend, e këtë e pret të ndodhë shumë shpejt.

“Në mbledhjën e djeshme te Komisionit kishte vetëm një abstenim, gjithë të tjerët votuan pro këtij projektligji. Pjesa tjetër është procedure standarde e Kuvendit, dhe besoj qe projektlgiji do të vijë shumë shpejt në seancë plenare”, ka thënë Çeku.

Nuk dihet se kush është deputeti që abstenoi, ndërsa pjesë e këtij Komisioni janë, Liburn Aliu i LVV’së, si drejtues; Bajrush Xhemaili dhe Evgjeni Thaci nga PDK’ja, Hajrullah Ceku dhe Shpejtim Bulliqi nga LVV, Adem Hoxha nga partia e goranëve, Xhavit Uka dhe Ilir Ferati nga LDK-ja, Arbër Tolaj nga AAK’ja, Millosh Peroviq nga Lista Serbe dhe Arbëreshë KRansiqi nga Nisma Socialdemokrate.

Ndryshe, cështja për ndryshimin e ligjit për Automjete u inicua nga një peticion, ku u mblodhën 10 mijë nënshkrime.

Secili qytetar që importon autmjet nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për vite me radhë, homologimin në Kosovë e kryen vetëm kompania Euro-Lab, që është në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

(Kosova Sot Online)