Pas Sllovakisë, edhe Rumania shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

  • E.K /
  • 30 September 2020 - 14:40
Pas Sllovakisë, edhe Rumania shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Qeveria e Rumanisë njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara është regjistruar numër rekord i rasteve të reja të koronavirusit – 2,158.

Kështu, numri i përgjithshëm i personave të prekur shkoi në 127,572 persona. Shifra e përgjithshme e viktimave është 4,825, shkruan The Guardian.

“Jam shumë i shqetësuar nga ajo që kam parë sot”, tha kryeministri rumun, Ludovic Orban, duke shtuar se zyrtarët e kabinetit qeveritar do ta analizojnë mundësinë për më shumë masa kufizuese për ta luftuar përhapjen e sëmundjes Covid-19.

Presidenti rumun, Klaus Iohannis, në mars kishte dhënë urdhër për izolim të rreptë në tërë vendin. Prej asaj kohe, masat janë lehtësuar, por maskat janë të detyrueshme në transportin publik dhe hapësirat e mbyllura publike që nga 15 maji.

Qeveria rumune më 14 shtator i rihapi shkollat për 2.8 milionë nxënës, të cilët do të jenë të detyruar të vendosin maska gjatë mësimit. Për më tepër, në këtë shtet pati zgjedhje lokale të dielën e kaluar.

(Kosova Sot Online)