Ministri Abrashi zbulon premtimet e SHBA-së dhe BE-së për projektet infrastrukturore në Kosovë

  • G.G /
  • 06 October 2020 - 14:24
Ministri Abrashi zbulon premtimet e SHBA-së dhe BE-së për projektet infrastrukturore në Kosovë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi sot po raporton në Komisionin parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis lidhur me marrëveshjet nga takimi i Washingtonit, me theks për projektet infrastrukturore që përfshihen aty.

Abrashi ka përmendur projektet që i kanë prezantuar në SHBA dhe premtimet që i kanë marrë për realizimin e tyre.

“Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e akseve rrugore dhe linjave ajrore, sipas letrave të qëllimit të mirë. Pastaj ndërtimi i autostradës Besi deri në Merdare, projekt i cili është i gatshëm për implementim. Projekti i dytë ka të bëjë me ndërtimin e hekurudhës nga Prishtina deri në Merdare me gjatësi prej 45 km”, tha Abrashi.

Abrashi ka treguar se BE-ja ka paraparë projekte për hekurudhat nga jugu në veri, ndërsa ka shtuar se amerikanët do të kujdesen për ta rehabilituar rrjetin e hekurudhave nga perëndimi në lindje.

Abrashi ka folur edhe për mundësinë që Kosova të ketë dalje në detin Adriatik.

“Çka është me rëndësi të përmendet për projektin e autostradës dhe hekurudhës, Kosova përmes projekteve të financuara nga BE-ja është duke rehabilituar infrastrukturën nja jugu në veri, kurse shteti amerikan në perëndim dhe lindje. Në kuadër të lidhjes së Prishtinës me detin Adriatik ne kemi paraqitur idenë për një port të thellë. Ky port do të bënte konkurrencë edhe ndaj porteve tjera në Mesdhe. Projektet tjera janë të cilat i kemi prezantuar gjatë takimeve me korporatat amerikane. Projekte tjera që nuk janë pjesë e marrëveshjes por qe janë diskutuar anash, ne do të diskutojmë projekte tjera që mund të nxisin zhvillimin ekonomik. E kemi diskutuar ndërtimin e autostradës nga Bresalci deri në Dheun e Bardhë, kemi diskutuar edhe për Brezovicën”, shtoi Abrashi.

(Kosova Sot Online)