Rrëfimi i Enis Qerkës për lidhjen me familjen Thaçi dhe emërimin në Ministri të Drejtësisë

  • E.K /
  • 07 October 2020 - 09:14
Rrëfimi i Enis Qerkës për lidhjen me familjen Thaçi dhe emërimin në Ministri të Drejtësisë

Enis Qerka, ish-këshilltar i ministrit të Drejtësisë, që dje u lirua nga kjo detyrë, ka folur në emision për akuzat se është kapur me drogë, si dhe ka zbuluar se ishte ai që ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit të Selim Selimit.

Qerka ka treguar versionin e tij për gjetjen e 113 kilogramëve drogë dhe shkarkimin nga detyra.

Ai ka thënë se për rastin e drogës kanë pushuar hetimet, e se ai ka qenë aksidentalisht në veturë ku shofer ishte vëllai i tij.

“Tash e dy vite pata vendosë në heshtje me kalu këtë punë. Nuk kam dashur të prononcohem për medie pasi kam pasur një vendim për pushim të hetimeve ndaj meje dhe vëllait tim. Unë kam qëlluar aksidentalisht në atë makinë, shofer ishte vëllau im. Kemi pasur një takim në Maqedoni. Kur kemi arritur në kufi, droga nuk ka qenë në veturë“, ka thënë ai.

Sipas Qerkës, këtë veturë e kishin huazuar dhe se nuk ka qenë e tyre. Kjo, sipas ish-këshilltarit, ishte krejt politike.

“Unë jam akuzuar gjoja se në Maqedoni kam dashur të shkoj të shkatërroj veturën. Thuajse në Kosovë nuk kam ku ta shkatërroj. Për këtë akuzohem. Vëllau e kishte huazuar. Kur kemi arritur te kufiri, unë kam qenë pasagjer, na ndali policia dhe na morën. Vetura ishte në stop-listë. Na shoqëruan në stacion. Jemi marrë në pyetje, e kemi pa që po akuzohemi për fshehje të veturës. Kemi ardhur në stacionin në Prishtinë. Takimi atje ka qenë shumë me rëndësi. Jemi nisur me vëllanë për Maqedoni. Vetura nuk ka qenë e jona. Krejt kjo është politike. Ta dija që është veturë me të kaluar kriminale nuk kisha shkuar në kufi. Çfarë logjike është të shkoj në Maqedoni të fsheh veturën. Veturën e kemi marrë në shfrytëzim”, thotë ai.

Madje, sipas tij, krejt këto shpifje janë bërë me qëllimin e vetëm për të dëmtuar familjen e presidentit Hashim Thaçi.

“Shpifjet ndaj meje janë bërë për ta dëmtuar familjen e Thaçit. Nuk kam qenë shofer i vëllait të presidentit, kam qenë zyrtar i logjistikës e jo shofer i Gani Thaçit”, thotë Qerka.

“Nuk jam shkarkuar nga ministri, e kam kërkuar lirimin me mirëbesim”, ka thënë Qerka. 

Tutje, Qerka thotë se ka raporte të mira me vëllain e presidentit dhe ka respekt për familjen e tij.

 “Unë për familjen Thaçi kam shumë respekt. Nëntë vjet bëhen që unë jam në byro, tash baci Gani qe një vit është në pension dhe kam raporte të shëndosha me këtë person”, shtoi Qerka.

Ai ka thënë se një i panjohur në afërsi të shkollës së djalit të tij, e kishte pyetur Qerkën se “A po mundet me i palu”.

“Në afërsi të shkollës së djalit tim, një i panjohur më ndali e më tha a po mundesh me i palu”, është shprehur Qerka.

Emri i Enis Qerkës u kthye sërish në publik, pasi u bë këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Me drejtësinë, ai deri tash ka pasur veç probleme. U përfshi në një rrahje krah Gani Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi. Herën e fundit kur ai është përmendur, ka qenë arrestimi i tij për 113 kilogramë drogë.

Ndonëse, Ministria e Drejtësisë nuk e bëri publik emërimin e tij si këshilltar, ata pohuan se vendimi për Enis Qerkën është nënshkruar dhe “ka shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”.

Por, për çka njihet emri i Enis Qerkës dhe cila ishte lidhja e tij me vëllain e presidentit Thaçi, Ganiun?

Në dhjetor të vitit 2018, Enis Qerka u arrestua në kufirin Kosovë – Maqedoni nën dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë që dyshohet se ishte e llojit heroinë. Atë kohë, Qerka punonte si shofer i Gani Thaçit, vëllait të presidentit Thaçi, i cili ishte në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj ditë paraburgim, por ai dhe dy të dyshuar të tjerë, ishin liruar nga paraburgimi pas një jave dhe iu kërkua të paraqiteshin në stacionin e policisë.

Para se të prangosej, nën dyshimet për narkotikë, mediat raportuan se Enis Qerka ishte njeriu që u përfshi dhe e ndihmoi Gani Thaçin në përleshjen fizike që kishte ndodhur në tetor të 2018-s, gjatë një mbledhjeje të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Qerka në korrik e ka publikuar një fotografi me presidentin Thaçi.

Madje, për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë filloi hetimin për veprën penale “sulm” ndaj Gani Thaçit e Enis Qerkës.

Dje kur mediat bënë publik emërimin e tij si këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, ky i fundit njoftoi se pas raportimit në media e ka liruar Enis Qerkën nga detyra.

“Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, ka njoftuar dje Selimi. 

(Kosova Sot Online)