Rasti “Karaçeva”, arrestohen edhe dy të dyshuar

  • E.K /
  • 14 October 2020 - 16:28
 Rasti “Karaçeva”, arrestohen edhe dy të dyshuar

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se janë ndaluar edhe dy persona të dyshuar për rastin “Karaçeva”. Nga fillimi i këtij aksioni e deri më tani, numri i të arrestuarve ka shkuar në 63.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari B.A. ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

“I dyshuari B.A., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka blerë gjedhe, për të cilat ka pasur dijeni se janë të kontrabanduara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq i dyshuari tjetër, Sh.I. dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“I dyshuari SH.I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, pasi në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka organizuar lojëra të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj”, njofton Prokuroria.

Ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

(Kosova Sot Online)