Trumpi thotë se do ta dorëzojë paqësisht pushtetin, nëse i humb zgjedhjet

  • E.K /
  • 16 October 2020 - 12:28
Trumpi thotë se do ta dorëzojë paqësisht pushtetin, nëse i humb zgjedhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të enjten se do ta pranojë transferimin paqësor të pushtetit, nëse rivali i tij demokrat i fiton zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, por shtoi se dëshiron, siç tha ai, zgjedhje të sinqerta.

“Ata përpiqen ta largojnë një president aktual, të zgjedhur në mënyrën e duhur e pastaj të pyesin “a do të pranosh një transferim paqësor?” – dhe përgjigjja është po, do ta pranoj, por dua që këto zgjedhje të jenë të sinqerta dhe këtë e duan të gjithë të tjerët”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë për televizionin NBC News.

Ai më parë vazhdimisht kishte refuzuar të përgjigjej drejtpërdrejt në pyetjen për dorëzimin e pushtetit pas zgjedhjeve, nëse i humb ato, duke pretenduar në mënyrë të pabazuar se votimi me postë do të përcillet me manipulime.

Pritet që votimi me postë në këto zgjedhje të arrijë nivel rekord për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia, ku Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë.

Trumpi vazhdimisht është përpjekur t’i kufizojë hetimet rreth fushatës së tij, përfshirë hetimin rreth përfshirjes së mundshme të Rusisë, duke i cilësuar ato si komplot të thellë që është organizuar nga Demokratët dhe përkrahësit e tyre.

“Është paksa ironike që ju dhe ata flisni për transferimin paqësor, kur unë i kalova tri vjet e gjysmë duke i luftuar këta maniakë. Transferim paqësor? Unë absolutisht e dëshiroj atë, por idealisht nuk dëshiroj ta transferoj, sepse dua të fitoj”, tha ai.

(Kosova Sot Online)