Lobimi kundër Kosovës s’do të jetë më detyrë e Ivica Daçiq, për çfarë do ta përdorë atë Vuçiq?

  • E.K /
  • 21 October 2020 - 13:36
Lobimi kundër Kosovës s’do të jetë më detyrë e Ivica Daçiq, për çfarë do ta përdorë atë Vuçiq?

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka bërë disa lëvizje interesante derisa ka bërë shpalosur  planet për formimin e Qeverisë së re të Serbisë. Para pak kohësh u bë e ditur se njeriu besnik i tij, Marko Gjuriq,  të cilit ia kishte “besuar” Kosovën do të dërgohet si ambasador në SHBA, ndërsa mbrëmë Vuçiq tha se Ivica Daçiq, një politikan tjetër në Serbi, që nga posti i tij në Qeveri bënte luftë kundër Kosovës, nuk do ta bëjë më këtë, së paku jo në kapacitetin e dikurshëm.

Për këtë, Daçiq nuk do të jetë i kufizuar nga marrëveshja që e Ëashingtonit, ku Vuçiq u zotua se do ta pezullojë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare për një vit, por për faktin se ai nuk do të jetë më njeriu kryesor i diplomacisë serbe. Vuciq ka vendosur që me marrëveshjen e re ta çojë Daçiqin në krye të Parlamentit të Serbisë.

Nuk dihet se cfarë plane ka bërë Vuciq për Daciqin në krye të Parlamentit serb. Bashkimi Europian nëpërmjet Lajcak ka dhënë sinjale se do t’i kërkojë Serbisë heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, por ka gjasa që kjo patate e nxehtë mund të bie në dorën e Daciqit, nëse gjatë 2 vjetëve të ardhshëm hynë në agjendën e ligjëvënësve serbë.

”Daçiq, ministër i deritashëm i Punëve të Jashtme, do të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë”- ka thënë  Vuçiq duke theksuar se është me rëndësi që ish -zëdhënësi i Milloshevqit Ivica Daciq të punojë e zhvillojë dialog në Parlament me grupe të ndryshme.

Ajo që ka rënë në sy mbrëmë është se Vuciq ka theksuar që qeveria e re do të ketë mandat të kufizuar deri më 3 prill të vitit 2022 kur në shtetin serb do të mbahen edhe zgjedhje presidenciale edhe parlamentare.

Ndryshe, lista përfundimtare e ministrave sipas Vuçiq do të bëhet publike më 25 tetor.

Presidenti serb ka bërë me dije se në Qeverinë e re të Serbisë do të ketë disa ministri të reja, përfshirë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Dialogun.

”Detyra kryesore e qeverisë së re”, siç tha Vuçiq, ”do të jetë ruajtja e shëndetit të qytetarëve dhe një sistem i fortë shëndetësor” duke e përmendur edhe pandeminë.

”Detyra e dytë”, ka theksuar ai, ”janë interesat e Serbisë në Kosovë”. Kësaj herë Vuçiq nuk ka përdorur ndonjë formulim se “Kosova është pjesë e Serbisë” apo se qeveria e re e Serbisë do të angazhohet që “Kosova të mbetet në Serbi dhe të ruaj tërësinë e saj territoriale.

Përveç partisë së Vuçiq në qeverinë e re që do të drejtohet përsëri nga Ana Bërnabiq, dhe Partisë Socialiste të Serbisë të Ivica Daçiqit do të përfshihet edhe Lidhja Patriotike Serbe që drejtohet nga Aleksandar Shapiq, e cila deri më tash ka qenë në opozitë.

(Kosova Sot Online)