Veseli kritikon Hotin: Ujmani është pronë e jona, s’kemi pse diskutojmë për të me të tjerët

  • A.P /
  • 22 October 2020 - 17:03
Veseli kritikon Hotin: Ujmani është pronë e jona, s’kemi pse diskutojmë për të me të tjerët

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po e sheh si të gabuar qasjen e qeverisë aktuale në raport me dialogun me Serbinë. Sipas Veselit, Liqeni i Ujmanit është pronë e Kosovës dhe s’mund të diskutohet me askënd tjetër.

Ish-kryetari i Kuvendit ka thënë se ideja e takimit të Washingtonit ishte arritja e një marrëveshje finale por që më pas u devijua me diskutime të kufizuara për Ujmanin.

“Por, nëse fillojnë qeveritë në Kosovë që të bisedojnë njëherë për Ujmanin, pastaj për Trepçën, e më pas të flasin për segmente të caktuara të ekonomisë atëherë e humbë kuptimin bashkëbisedimi apo dialogu. Nuk ka territor, nuk ka Ujman, nuk ka Trepçë, për të cilën Kosova duhet edhe mund të bisedoj me dikë. Kosova duhet të ketë lidership për të kaluar situata të vështira të cilat ndonjëherë lidershipi i dobët mundet me ja kriju vetvetes në Kosovë. Në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë ideja ka qenë që të shkohet për një marrëveshje finale që e determinon të ardhmen e Ballkanit Perëndimor e jo të kufizohet në një dokument ku bisedohet për Ujmanin.”, ka thënë Veseli. 

“Ne mundemi me ecë përpara vetëm përmes një ekonomie të shëndoshë private. Këtu nënkuptohet edhe gjigandët të cilët i kemi industrial. As Trepça e as Ujmani nuk janë për pazarë. Për zhvillim ekonomik, për përspektivë, për mirëqenie të qytetarëve po, por jo për pazarë në marrëveshje me Serbinë dhe me askënd tjetër.”, ka shtuar tutje kreu i PDK’së.

Për të është e pakuptueshme që të diskutohet me Serbinë për Liqenin e Ujmanit i cili është në pronësi të Kosovës.

“Nga marrëveshja finale, ku Serbia dhe Kosova përfundimisht do të merreshin vesh, kanë filluar të flasin për çështje të cilat edhe për mua janë të pakuptueshme, sikur liqeni i Ujmanit. Liqeni i Ujmanit ësht pronësi e shtetit të Kosovës. “, ka thënë Veseli.

Në bashkëbisedim me qytetarë, Veseli ka thënë se duhet të ketë një finalizim të procesit të dialogut me një njohje reciproke në mes të dy vendeve. Por, sipas tij, nëse në tavolinë shtrohen çështjet si Ujmani dhe Trepça, atëherë nuk ka për çfarë të bisedohet aty.

Ai në fund ka thënë se për 12 vjet sa PDK ka qenë në pushtet, asnjëherë nuk ka lejuar që të flitet për resurset e Kosovës.

“12 vite kemi qenë në pushtet dhe nuk kemi pranuar asnjë lëmoshë dhe asnjë marrëveshja e cila do ta dëmtonte Kosovën. As nuk kemi me pranu kurrë, pavarësishtë ku jemi, në pozitë apo opozitë.”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)