Pas vrasjes së mësuesit, Franca u bën thirrje për kujdes francezëve në vendet myslimane

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 11:11
Pas vrasjes së mësuesit, Franca u bën thirrje për kujdes francezëve në vendet myslimane

Franca i ka paralajmëruar qytetarët e vet që jetojnë ose që do të udhëtojnë drejt vendeve me shumicë myslimane që të kenë kujdes të shtuar për shkak të rritjes së zemërimit pas publikimit të karikaturave të profetit Muhamed.

Pavarësisht reagimeve të shumta, zyrtarët francezë e mbrojtën atë që e cilësojnë si të drejtë të tyre për publikimin e vizatimeve pasi një student 18-vjeçar me prejardhje çeçene i hoqi kokën një mësuesi që e kishte shfaqur karikaturën e profetit Muhamed para nxënësve.

Në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të martën u publikuan këshilla të reja të sigurisë për qytetarët francezë që ndodhen në Indonezi, Bangladesh, Irak dhe Mauritani, duke u bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm, shkruan Reuters.

Këshilla të ngjashme për shtetasit francezë u publikuan edhe nga Ambasada e Francës në Turqi. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, është një nga kritikët më të ashpër të qeverisë franceze ditëve të fundit.

Në këshillat e publikuara nga Ministria e Jashtme thuhet se qytetarët francezë duhet të qëndrojnë larg protestave dhe t’i shmangin tubimet publike.

“Në këtë kontekst, rekomandohet që të ushtrohet syhaptësia më e madhe, sidomos gjatë udhëtimit, dhe në vendet që janë të frekuentuara nga turistët”, thuhet në këshillat zyrtare.

(Kosova Sot Online)