Kelmendi: Realizimi i këngës 'Marshi i UÇK-së' është paguar 1.000 USD

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 19:58
Kelmendi: Realizimi i këngës 'Marshi i UÇK-së' është paguar 1.000 USD

Polemikës të krijuar së fundmi se a është paguar për realizimin e këngës "Marshi i UÇK-së", interpretuar nga Arif Vladi, i ka dhënë epilog Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e ish- Lëvizjes Popullore të Kosovës, sipas të cilit kënga në fjalë është paguar nga vetë ai në shumë prej 1.000 (njëmijë) USD, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Duke respektuar Etikën e Gazetarisë, ne ua risjellim shkrimin e plotë të botuar nga Kelmendi, ku tregon në tërsi ngjarjen se si erdhi deri te realizimi i kësaj kënge që së fundmi bëri bujë në media.

RASTËSI E NDODHUR RASTËSISHT – “MARSHI I UÇK-së”?

Ibrahim Kelmendi

Në mars 1998 përjetova rastësi të rastësishme – që u konkretizuar me MARSHIN E UÇK-së.
Kisha angazhuar Vëllain e Këngëtarit virtuoz Arif Vladi si taksist, që të ishte në gatishmëri tërë ditën për të na vozitur (50 USD dita). Këtë edhe për shkaqe sigurie, meqë ai kishte qenë polic. Kështu, Miku Arif e dinte kur ku gjendesha, kur interesohej.
Me takoi disa herë në lokalin “Çaplin” (pas Muzeut Kombëtar në Tiranë). Me fliste për nevojën dhe rëndësinë e një kënge frymëzuese për UÇK-në. Por unë nuk e kuptoja. Dhe kur zura ta vuaj si bezdisje, e pyeta: “Përse nuk po e bënë? Mos ndoshta të duhet leje…?”
Ai me foli troç, meqë pa se unë nuk po e kuptoja:
“Duhen lekë për tekstin, kompozimin, studion për ta incizuar.”
Sinqerisht, jo për hir të këngës, por për ta heq qafe vardisjen e tij, nxora 1.000 (njëmijë) USD dhe ia dhashë. Ai u gëzua si fëmija…
Pas dy ditëve me takoi për të ma dhënë sihariqin:
“E kemi realizuar! Ka dalë e mirë…”

Tani për atëherë, i kërkoj falje Mikut Arif për atë keqkuptim nga ana ime. Gjithsesi e falënderoj që ishte këmbëngulës (varditës) për ta realizuar.
Falënderoj stafin profesionist, – Z. Agim Doçi (për tekstin), Z. Edmon Zhulali (për kompozimin) dhe Mikun Arif Vladi (për këndimin), – që na e dhuruan “Marshin e UÇK-së”!

Rastësi e rastësishme – që mundi të ndodhte vetëm pse ishin zhvillimet dhe njerëzit!

(Kosova Sot Online)