Dugolli: Duket se ka presion nga Thaçi që PDK t’i bashkohet qeverisë Hoti

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 21:03
Dugolli: Duket se ka presion nga Thaçi që PDK t’i bashkohet qeverisë Hoti

Profesori i Historisë Bujar Dugolli thotë se skena aktuale politike në vend nuk është stabile. Ai dyshon se PDK do t’i bashkohet qeverisë pavarësisht se mendon se mbi kreun Kadri Veseli ka presion nga ish-kryetari i kësaj partie.

Ai mendon se PDK do të duhej të mbante qëndrimin aktual për qëndrim në opozitë.

“PDK’ja nuk do të ishte mirë të bëhej pjesë e koalicioni. Ajo do e dëmtonte pozicionin e vetë të deklaruar tashmë se është parti opozitare e cila nuk i ka fituar zgjedhjet dhe dëshiron të mbetet në opozitë’, tha Dugolli.

“Duket aty ka edhe një presion nga vetë presidenti Thaçi që ta fus disi në lojë Partinë Demokratike por nga ajo që po shoh unë është qëndrimi i z.Veseli i cili don ta ketë një lidership të qartë dhe dëshiron të mbetet si forcë opozitare për tu kthy ndoshta në një afat një parti më e konsoliduar se sa doli në zgjedhjet e fundit”, thotë Dugolli.

“Skena politike aktuale nuk mund të ketë një qëndrueshmëri me këtë përbërje të koalicionit’, thekson Dugolli, sipas të cilit zgjidhje janë zgjedhjet e reja.

“Personalisht mendoj se para se të hyhet në kombinime tjera këta mund të merren vesh për një datë të mundshme që vendi të shkojë në zgjedhje dhe skena politike që do të del nga zgjedhjet e lira dhe demokratike atëherë t’i ndajnë postet qeverisëse”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)