Zëdhënësi i Putinit tregon se pse në Rusi s’do të botohej kurrë ndonjë revistë si “Charlie Hebdo”

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 16:49
Zëdhënësi i Putinit tregon se pse në Rusi s’do të botohej kurrë ndonjë revistë si “Charlie Hebdo”

Një botim i ngjashëm me revistën satirike franceze “Charlie Hebdo” nuk mund të botohej në Rusi. Kjo ishte përgjigjja e Dmitry Peshkov, zëdhënësit të presidentit rus, Vladimir Putin, kur u pyet për të.

Peshkov ka dhënë edhe arsyet se pse në Rusi nuk mund të kishte kurrë një revistë që do të realizonte karikatura të Profetit Muhamed.

“Në Rusi, që është gjithashtu pjesërisht një vend mysliman, jetojnë 20 milionë myslimanë dhe në Rusi, ku natyrisht feja kryesore është krishterimi dhe shumica janë të krishterë, unikja e vendit tonë qëndron pikërisht në faktin se është vend shumëkombësh me shumë fe dhe të gjitha fetë bashkëjetojnë duke respektuar plotësisht njëra-tjetrën”, tha ai, transmeton Gazeta Express.

“Për këto arsye,” vazhdoi Peshkov, “ekzistenca e një forme të tillë të shprehjes në vendin tonë është absolutisht e pamundur, edhe duke pasur parasysh legjislacionin aktual”.

Zëdhënësi i Kremlinit nuk tregoi nëse karikaturat me referenca fetare ishin të lejuara në Rusi.

“Çështja është se kjo çështje është aq komplekse sa është e pamundur të diskutohet nga një pozicion zyrtar,” tha Peshkov, duke theksuar se “është e papranueshme të ofendosh ndjenjat e besimtarëve dhe në të njëjtën kohë të vrasësh njerëz”. Sipas tij, të dyjat janë të papranueshme.

(Kosova Sot Online)