Qeveria: Në Bruksel është diskutuar për pensionet dhe kadastrin, s’ka përafrim qëndrimesh

  • E.K /
  • 29 tetor 2020 - 15:15
Qeveria: Në Bruksel është diskutuar për pensionet dhe kadastrin, s’ka përafrim qëndrimesh

Zyra e Kryeministrit Hoti ka njoftuar se në bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të ekspertëve sot është diskutuar për pensionet dhe kadastrin.

Në komunikatën për media të Zyrës së Hotit thuhet se përkundër diskutimeve për këto tema ende nuk ka përafrim të qëndrimeve mes palëve.

“Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka  zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë. Temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve”, thuhet në komunikatë.

Tutje ZKM’ja thotë se është dakorduar që disktuimi për pretendimet financiare dhe çështja e pronave të vazhdohet në takimin e radhës.

“Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme,  pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve,  të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet tutje.

(Kosova Sot Online)