Njësitet e FSK nga sot janë certifikuar për ta mbrojtur edhe territorin e Kosovës

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 18:11
Njësitet e FSK nga sot janë certifikuar për ta mbrojtur edhe territorin e Kosovës

Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media ka njoftuar se FSK’ja ka realizuar stervitjen e ushtarëve për certifikimin e tyre në mbrojtjen territoriale.

“Në poligonin e stërvitjeve kolektive taktike të FSK-së në Babaj të Bokës, u realizua Stërvitja fushore “ Ujku Alfa-1” me demonstrimin stërvitor pesëditor të shkathtësive operuese të njësiteve të Komandës së Regjimentit të Parë të Këmbësorisë  së Forcave Tokësore për validimin (certifikimin) e tyre në detyrat e mbrojtjes territoriale. Në këtë ngjarje të veçantë, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj dhe oficerë tjerë të lartë të FSK-së.Ata u pritën nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, nënkolonel Albert Kuçi i cili me stafin e tij njoftuan lidhur me aktivitetet e zhvilluara në stërvitjen përkatëse, të arriturat, sfidat dhe qëllimin final të saj”, thuhet në komunikatë.

Në vijim, para fillimit të demonstrimit stërvitor, fjalën e mori ministri i Mbrojtjes Anton Quni i cili duke përshëndetur trupat e Regjimentit të parë të Këmbësorisë për këtë arritje të veçantë ndër të tjera u shpreh se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke validuar sot aftësitë dhe kapacitetet e para ushtarake në nivel skuadre për mbrojtjen territorial të vendit dhe pjesëmarrjen dinjitoze krah për krah forcave aleate në operacione paqeruajtëse.

 “Validimi i këtyre skuadrave shënon përmbushjen  më të rëndësishme deri më tani të detyrave tona që dalin nga Plani Gjithëpërfshirës të Tranzicionit . Me krenari këtë hap cilësor mund ta quajmë një ngjarje të veçantë në historinë e forcave tona”, – theksoi më tej ministri Quni. 

(Kosova Sot Online)