Lekaj: Serbia e sotme nuk dallon nga Serbia kriminale e viteve të 90’ta

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 19:05
Lekaj: Serbia e sotme nuk dallon nga Serbia kriminale e viteve të 90’ta

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë së re (AAK) ka thënë se Serbia e sotme nuk dallon me atë të Slobodan Millosheviçit, duke shtuar se forma e betimit të qeverisë së re në Serbi është sulm mbi sovranitetin e Kosovës.

Lekaj, njëherësh edhe ish-ministër i Infrastrukturës, nëpërmjet ‘Facebook’-ut, i ka bërë thirrje BE-së që të reflektojnë lidhur me këtë gjë.

“Zgjedhja e Qeverisë serbe mbrëmë nën betimin e tyre që do të kujdesen ta ruajnë Kosovën dhe Metohinë është një sulm mbi sovranitetin e Republikës tonë”, ka thënë përfaqësuesi i AAK-së.

“Kjo tregon edhe njëherë se ata janë ende nën mendësinë e kryekriminelit Millosheviq dhe kjo duhet të jetë një alarm për BE-në që para se të kërkojnë që Kosova ta ndryshojë kushtetutën, duhet t’i thërrasin mendjes e të kuptojnë përfundimisht që Serbia e sotme nuk ka asnjë ndryshim nga Serbia kriminale e viteve 90”, ka shtuar ai tutje.

Përgjatë ditës së djeshme Parlamenti i Serbisë votoi qeverinë e re, të kryesuar nga kryeministrja Ana Brbnabiq, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në vend më 21 qershor të këtij viti.

Qeveria e re përbëhet nga Partia Progresive Serbe (SNS), Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe Bashkimi Patriotik Serb (SPAS).

Nga 232 deputetë që morën pjesë në votim, 227 voturan pro qeverisë së re, ndërsa pesë deputetë votuan kundër saj.

(Kosova Sot Online)