Ish-deputeti i AAK-së ironizon me ministrin Kuçi për deklaratën lidhur me kompaninë e tij

  • E.K /
  • 30 October 2020 - 10:26
Ish-deputeti i AAK-së ironizon me ministrin Kuçi për deklaratën lidhur me kompaninë e tij

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, ka ironizuar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, lidhur me deklaratën e tij për tenderin 5-milionësh, për të cilin Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Maloku ka ironizuar me deklaratën e Kuçit, i cili ka thënë se nuk ka asnjë funksion në kompaninë e tij, por se është vetëm pronar.

“Ministri Blerim Kuqi: ” Nuk kam asnjë funksion në kompaninë time, jam vetëm pronar!” E fortë!”, ka shkruar Maloku.

Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e hetuar Ministrin e Ekonomsië dhe Ambientit, Blerim Kuçin, lidhur me tenderin 5 milionësh që e ka fituar kompania e tij për ndërtimin e spitalit në Prizren.

Lajmin  e ka konfirmuar drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Havolli ka thënë se Kuçi po hetohet për konflikt interesi.

“Po, ka një kohë që Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e hetuar Ministrin Blerim Kuçi, sa i përket tenderit 5 milionësh, për çështje të konfliktit të interest. Pasi të përfundojnë hetimet do të njoftohet edhe Prokuroria”, ka thënë Havolli.

Ndryshe, Kuçi mbrëmë ka lëshuar debatin para kohe pas një diskutimi të nxehtë me panelistët rreth një tenderi 5 milionësh që është raportuar se e ka fituar kompania ku vetë Kuçi është pronar.

Në debat e sipër me analistin Imer Mushkolaj e gazetarin Vehbi Kajtazi, Kuçi ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë pozitën e tij prej ministri nëse Agjencia Kundër Korrupsionit gjen konflikt interesi.

“Duhet të më ftoni një herë tjetër për të biseduar për tema tjera. Sonte kam ardhur të flasë vetëm për çështjen e tenderit. Në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion e vërteton se ekziston konflikti i interesit, unë e shqyrtoj pozitën time si ministër”, ka deklaruar ministri Kuçi.

(Kosova Sot Online)