Së paku gjashtë viktima dhe 202 të plagosur nga tërmeti në Turqi

  • A.P /
  • 30 October 2020 - 17:12
Së paku gjashtë viktima dhe 202 të plagosur nga tërmeti në Turqi

Të paktën gjashtë njerëz kanë vdekur dhe 202 të tjerë janë plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi të premten Turqinë, raporton Reuters.

Sipas dëshmitarëve, njerëzit vrapuan në rrugë në panik në qytetin bregdetar të Izmirit, pas tërmetit. Disa lagje u mbushën me ujë deti, i cili shkaktoi përmbytje.

Kryetari i Izmirit, Tunc Soyer, tha se rreth 20 ndërtesa janë rrëzuar në provincë. Guvernatori i Izmirit tha se 70 vetë ishin shpëtuar nga rrënojat.

“Për fat të keq, katër nga shtetasit tanë humbën jetën gjatë tërmetit”, shkroi më herët në rrjetin social Twitter, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.

Tërmeti i fuqishëm në Detin Egje ka tronditur Turqinë dhe Greqinë. Më herët, ministri i Brendshëm i Turqisë tha se disa ndërtesa në provincën perëndimore të Izmirit u shkatërruan, raporton AP.

Lëkundja raportohet të ketë shkaktuar një cunami të vogël në portin e Samos.

Ismail Yetiskin, kryetari i Bashkisë së Izmirit Seferihisar, tha se nivelet e detit u rritën si rezultat i tërmetit. “Duket se ka një cunami të vogël”, i tha ai transmetuesit NTV.

Banorëve të ishullit grek të Samos, i cili ka një popullsi prej rreth 45.000, iu kërkua të qëndronin larg zonave bregdetare, ka thënë për Skai T, Eftyhmios Lekkas, kreu i organizatës greke për planifikimin anti-sizmik, raporton Reuters .”Ishte një tërmet shumë i madh, është e vështirë të kesh një më të madh”, tha Lekkas.

Ankara informoi se ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Greqisë – të cilët ishin në një mosmarrëveshje të ashpër mbi pronësinë e burimeve të mundshme të hidrokarbureve në Mesdheun lindor – folën me telefon pas tërmetit dhe thanë se ishin gati të ndihmonin njëri-tjetrin.

Organi për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë tha se tërmeti i së premtes kishte një magnitudë 6.6 të shkallës të Rihterit.

Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare tha se tërmeti kishte magnitudë prej 6.9 shkallësh me një epiqendër 13 kilometra në verilindje të ishullit grek të Samos. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi për një fuqi 7.0 shkallë të Rihterit.

Mediat turke shfaqen pamje të rrënojave të një ndërtese shumëkatëshe në Izmirin qendror, dhe njerëz që ngjiteshin në të për të arritur tek ekipet e shpëtimit. Pamjet tregonin edhe për tym në disa pika në Izmirin qendror.

Mediat turke thanë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmaras, ku ndodhet edhe qyteti i Stambollit. Guvernatori i Stambollit tha se nuk ka raporte për dëme.

Tërmeti u ndje, gjithashtu, në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Mediat greke thanë se banorët e Samos dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre. Nuk ka raportime të menjëhershme për të plagosur.

Në janar më shumë se 30 njerëz u vranë dhe më shumë se 1,600 u plagosën kur një tërmet goditi provincën lindore të Elazig të Turqisë.

Në korrik 2019, kryeqyteti grek Athina u godit nga një dridhje që ndali energjinë në pjesë të mëdha të qytetit.

Një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk Izmit, afër Stambollit, në 1999 vrau rreth 17,000 njerëz.

(Kosova Sot Online)