Veliu: S’ka indikacion apo informacion për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 17:29
 Veliu: S’ka indikacion apo informacion për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka zhvilluar një takim me ud. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ku diskutuan për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.

Veliu pohon se nga Policia e Kosovës dhe Institucionet tjera të sigurisë, ka kërkuar që të bëhen vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e sigurisë, kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi, si dhe konform nevojës dhe vlerësimeve të ngriten masat e sigurisë.

Tutje, ai thotë se aktualisht s’ka indikacion apo informacion për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.

“Aktualisht nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, por as edhe Kosova nuk mund të jetë imune, sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluar në rajon e më gjerë”, shprehet Veliu në profilin e tij në Facebook.

“Institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)