Ende pa u numëruar votat, kryeministri i këtij shteti evropian ia uron fitoren Trumpit

  • G.G /
  • 04 November 2020 - 13:35
Ende pa u numëruar votat, kryeministri i këtij  shteti evropian ia uron fitoren Trumpit

Kandidati demokrat, Joe Biden është në epërsi ndaj presidentit aktual, Donald Trump kur po vazhdon numërimi i votave nga zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Por, duket se epërsia në numrin e votave të përgjithshme nuk po i siguron Bidenit epërsi në shtetet kyçe, ku gara ende nuk është e vendosur.

Ndonëse numërimi i votave të rregullta nuk ka mbaruar ende dhe duket se numërimi i votave të shumta me postë mund të marrë më shumë kohë, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa e ka uruar Donald Trumpin, pasi konsideron se ky i fundit tashmë e ka fituar edhe një mandat si president i SHBA-së.

“Është mjaft e qartë që populli amerikan ka zgjedhur Donald Trump dhe (zëvendëspresidentin) Mike Pence për katër vjet të tjera. Vonesa dhe mohimi i mëtejshëm nga MSN do të shërbente vetëm për të theksuar triumfin e fundit të presidentit. Urime Partisë Republikane për rezultatin e fortë në të gjithë SHBA-në”, tha Jansa, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, edhe si ai kritik shumë i madh i Bashkimit Evropian (BE).

Donald Trump e shpalli fitoren në një paraqitje, ndërsa bëri thirrje për ndaljen e numërimit të fletëvotimeve dhe akuzoi demokratët se po i vjedhin votat.

Me 213 vota të kolegjit elektoral, Trump aktualisht është 25 vota prapa Biden (i cili qëndron në 238), me asnjërin kandidat që s’kanë arritur ende në 270 votat e kolegjit elektoral, të nevojshme për të fituar. 

(Kosova Sot Online)