LVV: Vrasja e Astrit Deharit ka qenë krimi më i rëndë që ka ndodhur në Kosovë

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 12:27
LVV: Vrasja e Astrit Deharit ka qenë krimi më i rëndë që ka ndodhur në Kosovë

Në katër vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur një konferencë për media, në të cilën u tha se “vrasja e Astritit ka qenë krimi më i rëndë që ka ndodhur në vend”.

Këtë koment e tha anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, teksa shtoi se drejtësia për Astritin akoma mungon.

“Vrasja e Astritit ka qenë krimi më i rëndë që ka mundur të ndodhte në Kosovë. Një qytetari e aktivisti politik i ishte mveshur një vepër e rëndë, sikurse edhe aktivistëve të tjerë, por Astriti nuk doli i gjallë nga burgu…Edhe pse kanë kaluar katër vite, ende nuk ka drejtësi për Astritin. Prej momentit kur është publikuar raporti i institutit zvicëran ne kemi kërkuar që rasti të transferohet në Prokurorinë Speciale, të trajtonte e hetonte në detaje rastin Dehari, pa ndikime. Katër vite pas vrasjes dhe një vit nga koha kur rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale ende mungon drejtësia për Astrit Deharin…Bëjmë thirrje për trajtim të duhur e të pandikuar të rastit Dehari”, tha Haxhiu në konferencën e thirrur për media.

Ndërsa, Xhelal Sveçla tha se Astriti u vra në qelinë ku po qëndronte.

“E gjithë e vërteta do të zbulohet, urdhërbartësit e urdhërdhënësit duhet të vihen para drejtësisë:, tha ai ndër të tjera.

(Kosova Sot Online)