PDK del në konferencë për media në orën 15:00

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 13:28
PDK del në konferencë për media në orën 15:00

Partia Demokratike e Kosovës në ora 15:00 do të mbajë konferencë për media.

Kjo u bë e ditur nga zyra për media e PDK’së.

Konferenca do të mbahet sot në ora 15:00 nga Selia qendrore e PDK’së.

E gjatë ditës së djeshme, kreut të PDK’së, Kadri Veselit i është konfirmuar aktakuza nga dhomat e specializuara në Hagë. Ai të enjtën pasdite ka udhëtuar për në Hagë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar për operacionin e Dhomave të Specializuara dhe pjesëtarëve të EULEX-it në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Të bastisen familjet e të arrestuarve e që janë dorëzuar paqësisht dhe vullnetarisht nuk ka asnjë kuptim përveç demonstrimit të një arrogance dhe agresiviteti të Policisë së Gjykatës Speciale që për qëllim ka frikësimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ fton Komitetin Ndërkombëtar për Parandalimin e Torturës të përcjellë dhe hetojë sjelljen e Policisë së Gjykatës Speciale “sepse ky edhe është mandati kryesor i këtij Komiteti”.

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 5 nëntor, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

(Kosova Sot Online)