Trumpi thotë se votat janë pranuar ilegalisht edhe pas orës 20, nuk e di që ka afat disa ditë

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 14:54
Trumpi thotë se votat janë pranuar ilegalisht edhe pas orës 20, nuk e di që ka afat disa ditë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se dhjetëra mijëra vota janë pranuar ilegalisht pas orës 20 në ditën e zgjedhjeve dhe se ky veprim lehtësisht ka mundur ta ndryshojë rezultatin në Pensilvani dhe në disa shtete tjera. Sidoqoftë, duket se ai nuk është i informuar që një gjë e tillë është e lejuar dhe disa shtete pranojnë vota deri në shtatë ditë pas ditës së zgjedhjeve.

“Dhjetëra mijëra vota janë pranuar ilegalisht pas orës 8 (të mbrëmjes) të martën, në ditën e zgjedhjeve, tërësisht dhe lehtësisht duke e ndryshuar rezultatin në Pensilvani dhe disa shtete tjera ku gara është shumë e ngushtë. Si çështje tjetër, qindra mijëra vota ilegalisht nuk u lejuan të vëzhgohen”, shkroi Trump në Twitter.

Sidoqoftë, duket se ai nuk është mirë i informuar që shumë shtete të ShBA-së i pranojnë votat me postë edhe pas ditës së zgjedhjeve, madje disa ditë pas saj. Për shembull, në Nevada, kjo gjë është e lejuar deri më 10 nëntor, ndërsa në Pensilvani ka qenë e lejuar deri më 6 nëntor.

Ai gjithashtu tha se edhe ky veprim e ndryshoi rezultatin në shumë shtete, përfshirë Pensilvaninë, ku të gjithë menduan se u fitua nga republikanët në natën e zgjedhjeve. “Pamë se epërsia masive u zhduk, askush nuk u lejua të vëzhgonte, çfarë ndodhi”, shkroi kandidati republikan.

“Traktorët i bllokuan dyert dhe dritaret u mbuluan me kartonë të trashë në mënyrë që vëzhguesit të mos mund të shohin brenda dhomave të numërimit. Gjëra të këqija ndodhën brenda. Ndryshime të mëdha ndodhën”, shkroi ai.

(Kosova Sot Online)