Stuhi e madhe në Guatemalë, dyshohet për 150 të vdekur

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 15:21
Stuhi e madhe në Guatemalë, dyshohet për 150 të vdekur

Ushtria e Guatemalës ka shkuar në një fshat të largët, ku dhjetëra shtëpi janë mbuluar nga dheu që rrëshqiti pas reshjeve të mëdha të shiut, të cilat i solli stuhia Eta.

Presidenti i këtij vendi, Alejandro Giammattei, tha se ekziston frika se rreth 100 persona janë të vdekur në Queja në rajonin qendror, Alta Verapaz.

Moti i lig i ka penguar përpjekjet për shpëtimin e njerëzve të ngujuar, përderisa rrugët ende janë të bllokuara dhe pjesë të mëdha janë të vërshuara nga uji, shkruan BBC.

Më herët, autoritetet e kanë konfirmuar vdekjen e së paku 50 personave në pjesë të ndryshme të vendit.

Stuhia Eta arriti të martën edhe në Nikaragua si uragan i shkallës së katërt me erëra me shpejtësi deri në 225 kilometra në orë dhe reshje të mëdha të shiut. Më pas, stuhia u dobësua përderisa vazhdoi drejt Hondurasit dhe Guatemalës.

Presidenti Giammattei tha se operacionet e kërkim-shpëtimit janë të kufizuara, sepse vendi ka vetëm një helikopter që mund të përdoret në raste të tilla të fatkeqësive.

“Kemi shumë njerëz të ngujuar, te të cilët nuk kemi mundur të arrijmë”, tha ai, përderisa gjendja emergjente është shpallur në shumë zona.

Në Honduras, deri më tani janë konfirmuar së paku dhjetë të vdekur, ndërsa raportohet se qindra njerëz po e presin ndihmën e autoriteteve për t’u nxjerrë nga zonat e prekura nga vërshimet.

(Kosova Sot Online)