Policia jep detaje për të shtënat me armë zjarri në afërsi të zyrave të EULEX-it në Prishtinë

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 11:26
Policia jep detaje për të shtënat me armë zjarri në afërsi të zyrave të EULEX-it në Prishtinë

Të shtëna me armë zjarri ka pasur dje në rrugën “Arbnor e Astrit Dehari” në Prishtinë, në afërsi të zyrave të EULEX-it.

Cak i gjuajtjes ka qenë një person, i cili ka deklaruar në polici se për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dyshuarin, ai ka shtënë me armë zjarri dhe e ka goditur me kondak të pistoletës.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa policia ka bastistur shtëpinë e të dyshuarit por ai nuk është hasur aty.

I njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati.

Njoftimi i plotë i policisë:

SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Prishtinë 08.11.2020-10:40. Viktima m/k ka raportuar se derisa ka qenë me veturën e tij në rrugë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme i dyshuari m/k pasi ka shtënë me armë zjarri e ka goditur me kondak të pistoletës dhe i ka shkaktuar lëndime trupore dhe është larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë si dhe nuk është takuar i dyshuari.  

(Kosova Sot Online)