E tmerrshme: Militantët ua heqin kokat mbi 50 personave dhe ua copëtojnë trupat në Mozambik

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 10:56
E tmerrshme: Militantët ua heqin kokat mbi 50 personave dhe ua copëtojnë trupat në Mozambik

Militantët islamikë ua kanë prerë kokën mbi 50 personave dhe më pas ua kanë copëtuar trupat, ndërsa kanë rrëmbyer disa gra gjatë një sulmi të tmerrshëm në Mozambik, shtet që shtrihet në pjesën juglindore të Afrikës.

Trupat e viktimave u gjetën të gjymtuar e të shpërndarë në një pyll të hënën, ndërsa militantët e kishin shfrytëzuar një fushë futbolli për ta kryer këtë krim, shkruan Daily Mail.

Besohet se në mesin e viktimave janë së paku 15 djem, ndërsa disa viktima tjera gjithashtu janë adoleshentë që po merrnin pjesë në një ceremoni.

Ky sulm është rasti më i ri i rritjes së dhunës nga xhihadistët në Mozambik, të cilët janë të lidhur me ekstremistët e ISIS-it.

Thuhet se disa nga sulmuesit kanë brohoritur “Allahu Akbar” kur sulmuan një fshat dhe rrëmbyen disa gra, ndërsa të tjerët vranë njerëz në një tjetër vend, të quajtur Muatide.

Ndryshe, rreth 2.000 persona janë vrarë dhe afro 430.000 kanë mbetur pa strehë që nga shpërthimi i dhunës në vitin 2017 në rajonin e pasur me naftë, Cabo Delgado, ku shumica e popullsisë i përkasin besimit islam.

(Kosova Sot Online)