Gjermania e Evropa së shpejti marrin vaksinën anti-COVID, në Kosovë ende nuk dihet asgjë

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 11:22
Gjermania e Evropa së shpejti marrin vaksinën anti-COVID, në Kosovë  ende nuk dihet asgjë

Ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, pret brenda pak ditësh të arrihet një marrëveshje e Evropës me kompaninë prodhuese të vaksinës premtuese kundër COVID-19.

“Do ta përmbyllim shpejt këtë. Presim që të përmbyllim një kontratë për pak ditë”, ka thënë ai në një konferencë në Berlin.

Komisioni Evropian është në fazën finale të bisedimeve me “BioNTech-Pfizer” për më shumë se 200 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, me opsionin për të blerë edhe 100 milionë të tjera.

Spahn ka thënë se pret që Gjermania të marrë deri 100 milionë doza të vaksinës së “Pfizerit”. Sipas tij, dimri i ardhshëm do të jetë shumë më i mirë se aktuali, për shkak të vaksinës.

Por, ende nuk dihet nëse Kosova i ka porositur vaksinat kundër COVID, anipse kryetari i Prishtinës, e ka pyetur Qeverinë e Kosovës rreth kësaj.

Kompanitë kishin njoftuar të hënën se vaksina është treguar më shumë se 90 për qind efektive, diçka që e kanë cilësuar si fitore të madhe ndaj virusit që ka marrë jetën e më shumë se një milion njerëzve dhe ka tundur ekonominë botërore.

(Kosova Sot Online)