Kreu i Odës Ekonomike kundër Hotit: Jo mbyllje

  • E.K /
  • 10 November 2020 - 20:02
 Kreu i Odës Ekonomike kundër Hotit: Jo mbyllje

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka kundërshtuar propozimet e kryeministrit Avdullah Hoti i cili ka paralajmëruar se vendi mund të mbyllet sërish në ditët në vazhdim.

“Jo mbyllje”, ka shkruar Rukiqi në llogarinë e tij në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa”, kishte deklaruar Hoti.

(Kosova Sot Online)