Aktakuzat e Speciales, PDK-ja për një javë nuk merr pjesë në asnjë seancë të Kuvendit

  • G.G /
  • 11 nëntor 2020 - 09:43
Aktakuzat e Speciales, PDK-ja për një javë nuk merr pjesë në asnjë seancë të Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë për një javë në seancat e zhvillimet tjera të Kuvendit.

Kështu është bërë e ditur në një paraqitje para mediave të deputetit, Abelard Tahiri.

“Që nga pesë nëntori i këtij viti, Kosova dhe shoqëria jonë janë duke kaluar në një rrethanë aspak të zakonshme, mos të themi të jashtëzakonshme. Që nga e hëna janë paraqitur sit ë akuzuar drejtuesit kryesorë të luftës sonë, ndër ta presidenti i Kosovës i zgjedhur nga ky kuvend, kreu i PDK-së, Kadri Veseli ish kryetar i Kuvendit për dy mandate, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe sot paraqitet shefi i grupit më të madh parlamentar, Rexhep Selimi”, ka thënë ai.

Tahiri shton se PDK-ja do të shtyjë prezencën e saj për një javë në seanca.

“Ne si PDK kemi nevojë për reflektim. Do të shtyjmë prezencën tonë për një javë në seanca, PDK nuk do të marrë pjesë në seanca, ky akt nuk lidhet me zhvillimet që lidhen me drejtësinë, por me nevojën për sensibilizim. Ne na duhet reflektim dhe unitet”, ka thënë Tahiri duke shtuar se besojnë në luftën e pastër të UCK-së.

(Kosova Sot Online)