Më në fund, Kina e uron Bidenin për fitoren

  • G.G /
  • 13 November 2020 - 11:15
Më në fund, Kina e uron Bidenin për fitoren

Kina të premten e uroi të zgjedhurin president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, pothuajse një javë pasi ai e siguroi fitoren.

“Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. Ua dërgojmë urimet zotëriut Biden dhe zonjës Harrris”, tha gjatë një konference të rregullt për gazetarë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin.

“Ne e kuptojmë se rezultati i zgjedhjeve në ShBA do të përcaktohet sipas ligjeve dhe procedurave amerikane”, shtoi ai, duke e përsëritur qëndrimin e Pekinit zyrtar.

Ndryshe, raportet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë në gjendjen më të keqe në dekadat e fundit për shkak të disa mosmarrëveshjeve, përfshirë teknologjinë, tregtinë, Hong Kongun dhe koronavirusit.

Administrata e presidentit në largim, Donald Trump, më herët ka vendosur taksa të mëdha ndaj mallrave kineze, duke e nxitur reagimin e Pekinit.

Pak kohë pas fitores së Bidenit në shtetet më të rëndësishme, shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara ia uruan fitoren, por për një gjë të tillë ngurruan  Rusia dhe Kina.

Në vitin 2016, presidenti kinez, Xi Jinping, e kishte uruar Trumpin për fitore më 9 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)