Këto janë vendimet që i mori komuna e Ferizajt për të menaxhuar situatën me COVID-19

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 14:34
Këto janë vendimet që i mori komuna e Ferizajt për të menaxhuar situatën me COVID-19

Komuna e Ferizajt ka marrë disa vendime të reja për të menaxhuar situatën me COVID-19.

Ferizaj gjendet në zonën e kuqe, pra kjo komunë po përballet me masa më të rrepta për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.

Kryetari i komunës, Agim Aliu, përmes një postimi ka treguar për vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Lokal.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime, do të shndërrohet në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar.

Po ashtu janë marrë edhe disa vendime të tjera të cilat mund t’i lexoni më poshtë:

Bashkëqytetarë të nderuar!

Për të menaxhuar me efikasitet, rastet në rritje me virusin COVID-19 në Ferizaj, në mbledhjen e sotme të Shtabit Emergjent Lokal morëm vendim:

ë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Neredime, ta shndërrojmë në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar dhe dyshuar me virusin COVID-19, të cilat referohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizaj;

ë Me hapësirën e re në QMF- Neredime rrisim kapacitetin në 50 shtretër shtesë për trajtimin e pacientëve;

ë Shkollën e papërdorur në Lloshkobare ta bëjmë gati si hapësirë alternative për trajtimin e pacientëve në rast rritjes së vazhdueshëm të kërkesës për hospitalizim;

ë Hapësirat e objektit të vjetër të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik të rregullohen tërësisht në afat optimal për nevojat e trajtimit shëndetësor të pacientëve të infektuar apo dyshuar.

Me këto zgjidhje, Ferizaj mbulon nevojat për hapësira shëndetësore, duke pasur mjaftueshëm, për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19. Po kështu, edhe medikamentet, pajisjet e materialet tjera mbrojtëse janë të bollshme për trajtimin e rasteve.

Juve bashkëqytetarë ju mbetet zbatimi i formulës së thjeshtë: mbani maskën, respektoni distancën fizike e pastroni vazhdueshëm duart që të shmangni infektimin.

(Kosova Sot Online)