Rrëfimet për pandeminë, COVID-19 u shkakton qytetarëve pasoja psikologjike e ekonomike

  • E.K /
  • 15 November 2020 - 17:28
 Rrëfimet për pandeminë, COVID-19 u shkakton qytetarëve pasoja psikologjike e ekonomike

Distancimin fizik, duke shmangur kontaktet me të tjerët, kohën e gjatë të kaluar brenda mureve të shtëpisë si masë parandaluese për përhapjen dhe shpërndarjen e koronavirusit, njerëzit po e përjetojnë në mënyra të ndryshme.

Jostabiliteti financiar dhe ndërprerja e kohëpaskohshme apo edhe humbja e punës gjatë kohës së pandemisë, po i prek ata si në shëndetin mendor, po ashtu edhe po i dërmon fizikisht.

Kështu thonë disa qytetarë e psikologë për Radion Evropa e Lirë, sipas të cilëve familjet që më së shumti preken janë ato që kanë të ardhura të dobëta ekonomike.

Berat Hajdari është fizioterapeut me profesion. Ai duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se që nga muaji mars, gjithçka ka ndryshuar në mënyrën e punës së tij. Pacientët me probleme të rënda fizike, kanë pësuar shumë, thotë ai.

‘’Në fazën e parë të mbylljes totale, klinika jonë ka qenë dy muaj e mbyllur. Ka ndodhur ndërprerja e terapisë për pacientët. Ata kanë ardhur në fazën pas operacionit dhe është dashur ta ndërpresin terapinë. Disa raste i kemi përcjellë online, duke i ndihmuar me disa ushtrime”.

“Pastaj ajo që duhet ta veçojë është mosardhja e punëtorëve në punë. Ndihma nga Qeveria ka qenë pothuajse zero. Ka qenë shumë e vështirë për të gjithë, sepse njerëzit varen nga ato të ardhura. Asgjë nuk po mund të planifikoj as për të ardhmen, as për investime, po duhet të kem kujdes se çfarë hapa duhet ndërmarrë’’, thotë ai.

Ndërkaq, Faik Statovci punon si mirëmbajtës shtëpiak. Ai i mirëmban edhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, duke rregulluar gjithçka që dëmtohet në këtë institucion.

Statovci thotë se po të mos kishte një pagë rrjedhëse, siç e ka nga QKUK-ja, ai nuk do të mund të mbijetonte. Është vetë i shtati anëtar në familje dhe i vetmi që punon.

‘’Normalisht që pandemia ka ndikuar shumë, pasi që nuk kam punuar privat për më shumë se dy muaj. Më pas, kur u liruan masat, kam rifilluar dhe nuk ka qenë keq, por me masat e reja, do ta kemi shumë vështirë. Unë paguhem edhe nga buxheti i shtetit. Jemi 7 anëtarë dhe vetëm unë punoj.”

“Unë qe 20 vjet kujdesem për gjithë familjen. Pa punuar privat, asnjë muaj nuk mund të jetoj. Qeveria me ndihmën që ka dhënë prej 200 eurosh, ato nuk mjaftojnë, thjesht nuk jetohet. Nuk po flas për luks, por vetëm për gjëra elementare’’, shprehet Statovci.

Ai tregon se vetëm obligimet komunale i paguan deri në 120 euro në muaj. Punën që e bën si mirëmbajtës shtëpiak, i duhet një veturë, pasi me të i bartë mjetet e rënda, e që edhe ajo ka kosto.

Ndërkohë, psikologu Fitim Uka shpjegon se ajo që po tregojnë hulumtimet e fundit del se ka një relacion negativ në mes të gjendjes ekonomike, pra jostabilitetit ekonomik dhe shëndetit psikologjik në kohën e pandemisë.

Sipas tij, familjet me të ardhura të vogla financiare, kanë rezultuar me probleme psikologjike, por edhe dhunë në familje.

“Nuk ka pikë dyshimi që pandemia ka ndikuar në shëndetin tonë mendor dhe një prej arsyeve është jo vetëm fakti që e ka sulmuar shëndetin mendor, por njerëzit në këtë periudhë janë ballafaquar edhe me dilema të tjera, të cilat lidhen me statusin e tyre social e ekonomik”.

“Natyrshëm mendoj që njëra prej konditave kryesore për të krijuar një mirëqenie psikologjike është aftësia e njerëzve për ta parashikuar të ardhmen. Dhe, kjo na është cenuar ndjeshëm kohëve të fundit me vendimet e Qeverisë që e kanë organizuar mbylljen sot për nesër’’, vlerëson Uka.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.

Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.

Por me masat e reja nuk po pajtohet Berati, i cili thotë se këto vendime të shpejta të udhëheqëseve, po krijojnë shumë paqartësi.

“Mbyllja e paralajmëruar për të premten, ka krijuar shumë paqartësi pasi po njoftojnë me vonesë. Këtu po krijohet konfuzion edhe tek pacientët duke i anuluar terminet, gjithashtu te stafi që nuk jetojnë në Prishtinë. Nuk po e dinë a mund të vijnë ose jo”.

“E shtuna e kaluar ka qenë komplet konfuze. Nuk e dinim a duhet të vijmë dhe ta hapim klinikën, gjithashtu pacientët nuk e dinin nëse kanë të drejtë lëvizjeje. Do të thotë ka shkuar gjithçka me shumë parregullsi. Kjo më pas po ndikon te pacientët shumë keq psiqikisht pasi ata me problem më të mëdha, qoftë pas operacioneve në kurriz, po mendojnë se çka do të ndodhë me ta dhe kjo po i mban në stres nëse do të zgjasë kjo situatë dhe a do të mbesin pa u trajtuar’’, thotë Berati.

E, sipas Fitim Ukës, adresa për të kërkuar ndihmë për njerëzit që kanë nevojë në kohë pandemie, është psikologu. Por, ai thotë se varësisht nga rasti, ndihmë duhet kërkohet edhe te psikiatri.

Nga të dhënat e regjistruara në linjën falas për ndihmë psikologjike në Kosovë (038-200-80-890), del të kenë kërkuar mbi 2 mijë persona të moshave të ndryshme, kryesisht për shkak të ankthit, stresit dhe problemeve emocionale e familjare që kanë kaluar që nga shfaqja e pandemisë.

(Kosova Sot Online)