Një person i armatosur merr peng rreth nëntë njerëz në kryeqytet

  • A.P /
  • 20 nëntor 2020 - 16:03
Një person i armatosur merr peng rreth nëntë njerëz në kryeqytet

Një person i armatosur që ende nuk është identifikuar i ka marrë peng rreth nëntë persona në një organizatë mikrofinanciare në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, njoftoi të premten policia e këtij vendi.

Ende nuk dihet se cilat janë kërkesat e pengmarrësit. Policia e ka bllokuar zonën ku ka ndodhur rasti, në qendër të qytetit, shkruan Reuters.

Muajin e kaluar, një person i armatosur mori peng 43 persona gjatë plaçkitjes së një banke në qytezën Zugdidi, që shtrihet në pjesën perëndimore të Gjeorgjisë.

Ai u zhduk pa gjurmë pasi iu dhanë 500.000 dollarët që i kërkoi, ndërsa pengjet i liroi pasi iu plotësua kërkesa.

Ndryshe, Gjeorgjia është shtet me popullsi mjaft të varfër. Ky vend radhitet i 116-i në botë për vlerën e GDP-së, ndërsa shkalla e papunësisë vitin e kaluar ishte 11.6 për qind. Paga mesatare në Gjeorgji vitin e kaluar ishte 250 euro në muaj.

Përpos pagave të ulëta, ky shtet gjithashtu ka deficit të madh tregtar. Gjatë vitit 2019, Gjeorgjia eksportoi mallra me vlerë prej 3.8 miliardë dollarësh, por importoi 9.5 miliardë dollarë mallra.

(Kosova Sot Online)