Me zgjedhje lokale, ky njeri po e çon Etiopinë drejt luftës së brendshme

  • E.K /
  • 25 November 2020 - 15:26
Me zgjedhje lokale, ky njeri po e çon Etiopinë drejt luftës së brendshme

Dikur operator i një radiostacioni të guerilëve, Debretsion Gembremichael tani po i udhëheq forcat e rajonit Tigray në luftë kundër ushtrisë etiopiane për kontroll në rajonin malor verior.

Politikani 57 vjeç është mundur ta paraqesë këtë konflikt si rezistencë ndaj synimit të kryeministrit Abiy Ahmed për centralizim të pushtetit, gjë që është mohuar nga qeveria, e cila lëvizjen e tij e ka akuzuar për revoltë.

Gebremichael po e udhëheq Frontin Popullor të Tigray-t për Çlirim, që dikur ishte lëvizje rebele që e udhëhoqi rrëzimin e diktaturës marksiste më 1991 para se të arrinte të mbizotëronte në një koalicion qeveritar sipas emërimit të kryeministrit Abiy më 2018.

Debretsion iu bashkua Frontin Popullor të Tigray-t për Çlirim kur ishte adoleshent dhe shkoi në Itali për të mësuar rreth komunikimit dhe teknologjisë, shkruan Reuters.

Ai e udhëhoqi ekipin e Radios “Zëri i Revolucionit” rreth viteve të tetëdhjeta, të cilën luftëtarët e përdornin për t’u lidhur me njerëzit në kohën kur ballafaqoheshin me bombardime nga ajri, sipas një libri të botuar më 2018.

Radiostacioni që udhëhiqej nga tashmë lideri i revoltuar shpërndante propagandë, raporte për takimet e lëvizjes rebele dhe programe të ndryshme, duke filluar nga mjekësia deri te bujqësia.

Debretsion ka shërbyer në disa pozita të larta shtetërore, përfshirë postin e drejtorit të kompanisë së telekomit që kishte monopol në treg. Ai gjithashtu ka shërbyer si zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës.

Lideri i forcave të rebeluara gjithashtu ka qenë pjesë e Korporatës Etiopiane të Energjisë Elektrike dhe ka qenë mbikëqyrës i digave për hidrocentrale. Ai u zëvendësua në këtë post pak kohë pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Abiy.

Në shtator të këtij viti, ai vendosi të mbante zgjedhje rajonale dhe e betonoi postin e liderit rajonal, ndonëse qeveria federale nuk i njohu këto zgjedhje, datën e të cilave e kishte shtyrë për shkak të pandemisë.

Fronti i Debretsionit i fitoi 98 për qind të votave, por këto zgjedhje u shpallën ilegale nga qeveria qendrore, e cila ka caktuar një administratë kalimtare në disa pjesë të rajonit, që janë marrë nën kontroll nga ushtria.

(Kosova Sot Online)