Edhe Lituania konfirmon raste të koronavirusit te vizonët

  • A.P /
  • 26 November 2020 - 15:47
Edhe Lituania konfirmon raste të koronavirusit te vizonët

Agjencia lituaneze e shëndetësisë njoftoi të enjten se i ka gjetur rastet e para të koronavirusit në vizonë pasi 22 kafshë të ngordhura të këtij lloji në një ferm në pjesën qendrore të vendit dolën si të infektuar me virusin e ri.

Testimi në fermën me 60 mijë vizonë filloi pasi kafshët filluan të ngordhnin papritmas dhe udhëheqësit e fermës tani dyshojnë se vizonët e morën virusin nga një punëtor.

“Në këtë moment ferma është në izolim, por ne kërkuam që të eliminohen vetëm 40 vizonë që kishin kontakt të ngushtë me të infektuarit. Të tjerët janë nën vëzhgim dhe secili vendim do të merret sipas zhvillimit të situatës”, tha një zëdhënëse e agjencisë së shëndetësisë.

Ajo shtoi se Lituania ka 1.6 milion vizonë që mbahen në gjithsej 86 ferma, shkruan Reuters.

Raste të koronavirusit te vizonët më parë janë shfaqur edhe në Danimarkë, por ky shtet mori masa të ashpra duke eliminuar fizikisht të gjitha këto kafshë dhe javën e kaluar tha se sipas të gjitha gjasave, virusi te këto kafshë është zhdukur.

Përpos Danimarkës, raste të koronavirusit te vizonët javën e kaluar janë konfirmuar edhe në Francë dhe Poloni.

(Kosova Sot Online)