Zgjedhjet e jashtëzakonshme, Zemaj shkon në Mitrovicë të Veriut

  • A.P /
  • 29 November 2020 - 13:51
Zgjedhjet e jashtëzakonshme, Zemaj shkon në Mitrovicë të Veriut

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut, për të parë nga afër se a po respektohen masat anti-Covid gjatë zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut.

Zgjedhjet në këto dy komuna po mbahen sipas rregullave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

E për të parë nëse këto masa po respektohen, në Mitrovicën e Veriut kanë shkuar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe inspektorët sanitarë.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar masat të cilat duhet të respektohen gjatë pjesëmarrjes në zgjedhje.

KQZ ka njoftuar se për të votuar duhet të mbahet maska mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën, po ashtu duhet të mbahet distanca fizike prej 2 metrave, derisa qytetarët presin në radhë për të hyrë në vendvotim e po ashtu brenda vendvotimit.

Gjatë hyrjes duhet të dezinfektohen duart, ndërkaq pas dezinfektimit të duarve duhet të prezantohet dokumenti i identifikimit duhet të hiqet maska mbrojtëse për t’u identifikuar nga anëtari i vendvotimit.

(Kosova Sot Online)