Fjalimi i Qunit që ia kujtoi Musliu: z. Thaçi dhe z. Veseli, do të qëndrojë derisa t’ju shoh prapa grilave

  • G.G /
  • 30 nëntor 2020 - 13:28
Fjalimi i Qunit që ia kujtoi Musliu: z. Thaçi dhe z. Veseli, do të qëndrojë derisa t’ju shoh prapa grilave

Ganimete Musliu e pyeti sot Anton Qunin pse nuk po jep dorëheqje, tani që iu përmbush misioni, duke u arrestuar Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ajo iu referua një deklarate të Qunit në vitin 2017, që mund ta gjeni më poshtë.

Gjatë pyetjeve parlamentare për Qeverinë Hoti, deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, pati një pyetje për ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni. Pyetje nuk pati të bënte me punën e tij në ministri, por me një fjalim të tij kur ishte deputet.

Në një seancë të Kuvendit në maj të vitit 2017, ish-deputeti Anton Quni, kishte thënë se do të vazhdoj të jetë deputet derisa ta sheh Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin prapa grilave. Ai kishte thënë se Veseli vjen nga një formacion shumë i dyshimtë dhe formacion për të cilin duhet të japë përgjegjësi para qytetarëve.

“Isha në mendime të tërhiqem nga jeta politike pas këtij mandati. Por kur e shoh ketë hipokrizi të njerëzve që i njoh nga lufta, nga vijat e frontit dhe e di se në disa situata kanë dështuar… Para publikut paraqiten si heronj e janë frikacakë. Këta janë njerëz që te lënë në gjysmë të rrugës. Sot mundem me u ndi fitimtar. Por z.Veseli, z.Thaçi, ju jeni arsyeja që më bëni të qëndroj në këtë parlament. Për të gjitha ato qe keni bërë po më detyroni të qëndroj derisa t’ju shoh prapa grilave”, kishte thënë Quni.

Këtë deklaratë ia kujtoi sot deputetja Musliu, tash kur Thaci e Veseli janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Kur do të jepni dorëheqje pasi është përmbushur misioni juaj politik”, ka pyetur Musliu.

Në replikë, ministri Quni ka thënë se do ta pres epilogun e procesit gjyqësor kundër Thaçit dhe Veselit për të marrë vendim lidhur me dorëheqjen.

“Besoj që përkundër asaj që jam ministër i Mbrotjes, nuk e humbi të drejtën të kem edhe qëndrime personale. Sa i aërket deklaratës time që pasi t’i shoh prapa grilave të apostrofuarit, presim epilogun. Pastaj do të marr vendim edhe unë”, tha Quni.

Thaçi e Veseli janë arrestuar nën dyshimet për krime lufte, pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre. 

(Kosova Sot Online)