Lutfi Haziri, gjatë vizitës tek varri i ish-presidentit Rugova, tregon se çka i bie të jesh rugovian

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 11:14
Lutfi Haziri, gjatë vizitës tek varri i ish-presidentit Rugova, tregon se çka i bie të jesh rugovian

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas vizitës së partisë së tij tek varri i ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ndër të tjera, ka treguar se çka i bie të jesh rugovian.

Haziri, filozofinë rugoviane, e sheh për nga maturia politike, teksa thotë se ky koncept shihet tek të gjitha vlerat që partia e tij i bart.

“Filozofia e Rugovës duhet kuptuar nga të gjithë ato vlerat që LDK i bart. Ne nuk jemi fanatik politik, as nuk jemi militant politik. P.sh rugovizëm është kur një sukses të bën më të përgjegjshëm sesa arrogant, sikurse shohim në partitë e tjera”, ka thënë ai.

Sot është dita e përvjetorit të lindjes së ish-presidentit nga radhët e LDK’së, Ibrahim Rugova. Në po këtë ditë, homazhe varrit të tij i kanë bërë LDK’ja.

Vizitë i përkushtoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila përmendi tri vlera të tijat.

“Tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin. I përjetshëm kujtimi për të”, shkroi ajo në llogarinë e saj, teksa bashkëngjiti një fotografi të sajën tek varri i ish-presidentit. 

(Kosova Sot Online)