Isa Mustafa: Vjosës i ka mbetur vetëm vota e duetit Haxhi Avdyli & Haki Abazi

  • A.P /
  • 13 December 2020 - 09:00
Isa Mustafa: Vjosës i ka mbetur vetëm vota e duetit Haxhi Avdyli & Haki Abazi

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth deklaratave të Vjosa Osmanit e cila tha se rrugëtimin politik do ta vazhdojë e vetme. Sipas saj, kjo për shkak LDK’ja ka mbajtur në pushtet kapësit e shtetit.

Madje, Osmani tha se LDK’së i ka mbetur vetëm logoja, pasi votuesit e partisë i përfaqëson ajo.

E lidhur me këtë, kreu i LDK’së ka deklaruar se Osmanit i ka mbetur vetëm vota e “duetit Haxhi Avdylit & Haki Abazit”.

Ndër të tjera, Mustafa të shtunën i ka rikujtuar Osmanit se i kanë humbur zgjedhjet e 6 tetorit dhe se pozitat aktuale që i mban sot i ka falë politikës dhe lidershipit të LDK’së, meqë kishte kushtëzuar Kurtin që ta shkarkonte Konjfucën dhe ta propozonin Osmanin për kryekuvendare.

“Lista zgjedhore, në të gjitha zgjedhjet ka qenë e LDK-së, me logo të LDK-së, e përkrahur nga të gjitha strukturat e partisë dhe e votuar nga anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Të gjitha pozitat që i mbajnë njerëzit e LDK-së janë rezultat i politikave të LDK-së. Zgjedhjet e vitit të kaluar nuk janë fituar. I kemi humbur. Sipas këtyre rezultateve, qytetarët e kanë votuar Vjosën vetëm për deputete”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK’së thotë se të dyja pozitat që sot i mban Vjosa Osmani, pra atë të kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentit, janë si rezultat i politikave të partisë dhe vetë Mustafës si kryetar, e jo si rezultat i votave.

Mustafa  thotë se në negociatat më Lëvizjen Vetëvendosje për koalicion, e kishte kushtëzuar Albin Kurtin që ta shkarkonte Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në atë pozitë të vendosej Vjosa Osmani.

“Ndërkaq në proces të negociatave me VV për bashkëqeverisje, si Kryetar i LDK-së kam kushtëzuar që VV të propozojë Vjosa Osmanin për Kryetare të Kuvendit, duke e shkarkuar Glauk Konjufcën.  Pra pozitat që i mban sot Vjosa ia ka siguruar lidershipi i LDK-së, unë si Kryetar e kam nënshkruar marrëvedhjen. Mbi këtë bazë sot është edhe u.d. e Presidentit.  Nuk e ka bërë vota, por marrëveshja politike që e kam drejtuar unë si Kryetar i LDK-së. Me vota  do të ishte Glauk Konjufca  Kryetar i Kuvendit dhe u.d. i Presidentit”, ka shtuar tutje i pari i LDK’së.

Mustafa e lë në ndërgjegjen e Osmanit faktin që ajo vazhdon të qëndrojë kryetare e Kuvendit dhe tashmë edhe u.d e presidentit edhe pas prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkohë e ka pyetur Osmanin se në çfarë cilësie i mban këto dy pozita, si anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës apo si pjesëtare e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Çështje tjetër është se a është morale dhe etike që pas prishjes së koalicionit dhe të marrëveshjes, Vjosa të vazhdojë ta mbajë atë pozitë që ka derivuar nga marrëveshja e prishur. Shihet qartë se ajo  nuk ka reflektuar parime. Po e përgojon lidershipin e LDK-së se e vetmja dëshirë e tyre është të mbesin në pushtet , ndërkaq  duhet të merret me pushtetin e saj dhe me faktin  se kah i buron ky pushtet. Duhet të deklarohet se pozitën si Kryetare e Kuvendit rrjedhimisht edhe si ud e Presidentit a e mban si anëtare e LDK-së apo e VV-së. Mbi të cilat parime qëndron në ato pozita?!?”, ka thënë Isa Mustafa.

Isa Mustafa thotë se si Lidhje Demokratike nuk e llogarit si të veten meqë është prishur koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në fund, i pari i LDK’së tha se nga zgjedhjet e fundit, Osmanit i ka mbetur vetëm vota e “duetit Haxhi Avdyli & Haki Abazi”, derisa shtoi se “të tjerët i ka zhgënjyer”.

(Kosova Sot Online)